Vendimi i madh i FFK’së: Klubeve të Superligës ju lejohet të kenë skuadra garuese “B”

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Nën udhëheqjen e presidentit Agim Ademi, në këtë mbledhje u morr vendimi që klubeve të Superligës t’iu mundësohet formimi i skuadrave garuese “B”, të cilët do të luajnë maksimalisht dy rangje më ulët se ekipi i parë.

KE’ja kërkoi më shumë vëmendje e vigjilencë nga organet relevante të garave, teksa dha edhe informata mbi organizimet e garave për edicionin e ri.

Njoftimi i plotë:

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen në futbollin e Kosovës. KE analizoi dhe shqyrtoi rrjedhën e garave duke konstatuar se deri më tash kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përmbyllje të garave në Ipko Superligë, garat kanë rrjedhë të mirë me gjithë disa kritika e pakënaqësi të shprehura, por që në përgjithësi nuk kanë ndikuar në gara.

Pamje nga ndeshja Prishtina-Drita (foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)

 

KE kërkon nga organet relevante të garave, vëzhguesit, gjyqtarët, kontrollorët dhe Komisonet të rrisin edhe mëtutje vigjilencën në punën e tyre sikur që kërkon edhe nga klubet një angazhim që xhirot e mbetura dhe garat të përfundojnë në mënyrë sportive. KE shqyrtoi edhe njëherë formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe mori vendim që Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë.

Në fakt, Liga e Parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, ndërsa nga liga largohen tri skuadrat e fundit në secilin grup.
Ndërsa, nga Liga e dytë kampioni dhe nënkampioni ngjiten në Ligën e parë, ndërsa nga liga largohen 4 skuadrat e fundit. Po ashtu, nga Liga e Tretë në një rang më lart ngjiten kampionët e të dyja grupeve.

KE debatoi edhe për procesin e gjetjes së sponsorëve për Ligën e parë, Ligën e femrave dhe të futsallit. Po ashtu KE shqyrtoi edhe mundësinë e lejimit të formimit të skuadrave”B” të klubeve të Superligës dhe mori vendim që t’u lejohet klubeve të Superligës formimi i skuadrës “B” i cili do të garojë maksimalisht dy rangje më ultë se ekipi i Superligës. KE shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi.”