Vendimi i FFK-s, Hajvalia po i pret gjyqtarët për të reaguar

Hajvalia mori sot një dënim të rëndë nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ata dënuan trajnerin Ismet Munishi me katër muaj moskryerje të detyrës, derisa drejtuesit e klubit, Mehedin Pergjegjaj (Meda) dhe Xhavit Pacolli me nga 500 euro gjobë.

Shkak për këtë u bënë ofendimet e tyre në gjyqtarët e ndeshjes Hajvalia – Besa (1:3), të cilët me vendimet e tyre dëmtuan Hajvalinë.

Xhavit Pacolli, drejtor sportiv i Hajvalisë, tregon arsyen përse ata po e presin të enjten për të vendosur nëse do të ankohen apo jo,

“Ne po e presim ditën e enjte, për të dalë me ndonjë reagim. Jemi duke pritur Komisionin për Gjyqtarë, se çfarë vendimi do të marrin për gjyqtarët e ndeshjes, e më pas do të dalim me deklaratë. Nëse Komisioni tregohet real, si për ne ashtu edhe për ta, ne do të respektojmë vendimin e sotëm të tyre”, deklaroi Pacolli për GazetaOlle.com.

Treshja e gjyqtarëve me në krye Artan Tahirin, ishin vlerësuar me notën 3. (Gazeta Olle)