Vëmendja në Prishtinë

Të shtunën duke filluar nga ora 15:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet do të takohen rivalet e përbetuara, basketbollistet e Prishtinës dhe ato të Penzës nga Peja në kuadër të xhiros së XI-të në elitën e basketbollit femëror në Kosovë.

Të dyja skuadrat nuk e kanë përjetuar asnjë humbje në 10 xhirot e deritashme, andaj ajo që do të triumfoj në këtë përballje do të shkoj në pushimin dimëror në krye të renditjes tabelare në Ligën e Femrave.

Në njërën anë Arbnore Perquku me kompaninë e saj dhe në tjetrën Valbona Bytyqi me të sajën do të mundohen të dhurojnë basketboll cilësor, duke marr parasysh rivalitetin që e kanë këto ekipe tash e sa vite.

Duhet theksuar se të dy këto klube së bashku me Bashkimin e Prizrenit që nga paslufta në periudha të ndryshme e kanë pasur fjalën kryesore në basketbollin femëror në vendin tonë. Megjithatë Prishtina, ish-Universiteti është skuadra më e trofeshme me gjithsej 16 trofe të fituar, prej tyre 8 tituj të kampionit dhe 8 Kupa të Kosovës.