Vëllezërit Sahiti drejt Skënderbeut?

Dy super talentët kosovarë që luajnë te skuadra e Rabotniçkit, vëllezërit Sahiti, me shumë gjasa gjatë merkatos së janarit do të ndryshojnë mjedis. Emir dhe Suad Sahiti janë dy futbollistët e parë që pritet ti bashkohen skuadrës kampione të Shqipërisë, Skënderbeut, nga e cila skuadër pritet të largohen disa futbollistë mjaft cilësorë në afatin kalimtarë të janarit.

Nigeriani Olainka vetëm se braktisi këtë skuadër, duke kaluar te skuadra e njohur belge e Gentit, ndërsa po të njëjtës rrugë janë edhe disa futbollistë tjerë, ku ndër më të përfolurit janë futbollistët kosovarë si Bernard Berisha, Liridon Latifi, Leonit Abazi dhe Bajram Jashanica.

Emir Sahiti luan si mesfushorë i majtë me tipare sulmuese, ndërkohë Suadi, më i madhi nga vëllezërit Sahiti luan në rolin e mesfushorit të djathtë. Ky i fundit gjatë këtij sezoni ka zhvilluar gjithsejë 19 ndeshje me fanellën e Rabotniçkit, përfshirë këtu edhe 7 ndeshjet e zhvilluara në kualifikueset e Liga Evropa, ku ka të shënuar edhe një gol, atë në ndeshjen ndaj FK Jelgava (2:0).

Që të dy te Rabotniçki erdhën nga kampionati kosovarë, më konkretisht nga skuadra e Hajvalisë dhe Prishtinës dhe atë falë menaxherit të mirënjohur Shkumbin Qormemeti, i cili duke pasur parasysh raportet e shkëlqyeshme që ka me skuadrën e Skënderbeut, shumë lehtë mund të ndodhë që ashtu siç i transferoi para një viti te Rabotniçki, që të dy t’i transferojë te skuadra e Skënderbeut, ku tashmë rolin e drejtorit sportiv e luan miku i ngushtë i tij, Haris Fakiq.