Vellaznimi mposht lehtësisht Rahovecin

Vëllaznimi shënoi fitore të lehtë, por shumë të rëndësishme, duke mundur Rahovecin me rezultat 93:74 (32:11, 19:15, 24:20, 18:28), në xhiron e 16-të të Prince Caffe Superligës.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen më mirë dhe që në fillim krijuan epërsi prej dhjetë pikësh, 12:2, ndërsa e shtuan edhe më shumë me kalimin e minutave, duke e fituar bindshëm çerekun e parë 32:11. Periudha e dytë ishte më e barabartë, por sidoqoftë, vendasit nuk e lëshuan epërsinë, madje edhe e shtuan, duke shkuar në pushim me shifrat 51:26.

Edhe perioda e tretë ishte paksa e ngjashme me atë të dytën, ku skuadra nga Gjakova menaxhoi epërsinë dhe e shtoi atë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 75:46. Dhjetë minutat e fundit ishin vetëm formalisht, pasi nuk kishte ndryshim drastik dhe Vëllaznimi fitoi 93:74.

Te vendasit u dalluan Jordan Harris me 26 pikë dhe Emanuel Omogbo me 15 pikë e katër kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Edmond Kryeziu me 23 pikë dhe Bardh Rexha me 19 pikë e 14 kërcime.

Vëllaznimi ka shtatë fitore e nëntë humbje, kurse Rahoveci mbetet në fund me dy fitore e 13 humbje.

Merr fund pritja, Shqipëria bëhet me trajner të ri

Bashkimi merr fitore të madhe në udhëtim te Trepça