Vedat Muriqi ishte pjesë e “Koha Shtesë”. Sulmuesi nga Kosova, i cili aktualisht luan për skuadrën spanjolle RCD Mallorca, diskutoi për edicionin që po zhvillon me skuadrën, qëllimet e tij për të ardhmen, ku është spekuluar për një lëvizje dhe rikthim në Superligën Turke.
Muriqi, gjatë këtij edicioni, ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar dy herë për të ndihmuar Mallorcan që të jetë pranë arritjes së qëllimit për të siguruar qëndrimin në La Liga për edicionin e ardhshëm, gjë që skuadra kërkon ta zyrtarizojë në javët e fundit të sezonit. Ai gjithashtu ndihmoi skuadrën të prekte finalen e Copa Del Rey, ku Mallorca u rikthye për herë të parë në ndeshjen kryesore të kompeticionit që nga viti 2003 kësaj radhe përballë Athletic Bilbaos.
Mallorca nuk ia doli të fitonte pasi pësoi humbje në penallti. Pavarësisht kësaj, Muriqi është optimist dhe fokus kryesor për të është që të ndihmojë skuadrën në ndeshjet e fundit të kampionatit.
Si ndiheni pas ndeshjes me Atletico Madrid?
Dy ndeshjet e fundit ia dolëm t’i fitonim në shtëpi 1-0, por kësaj radhe ne luajtëm ndaj një skuadre që kërkon të jetë me mbrojtje të fortë dhe ata fituan tek ne. Altetico na dënoi dhe disfata na surprizoi, ne pësuam gol në minutën e pestë, pastaj u bë e vështirë për ne kundër skuadrës dhe mbrojtjes që aplikon Simeone.
Mallorca është gjashtë pikë lart zonës së ftohtë, a ndiheni të rrezikuar për rënien nga La Liga?
Ne kemi më shumë kualitete se skuadrat të cilat janë më poshtë, nuk e besoj se do të largohemi nga La Liga, megjithatë ne duhet që t’i demonstrojmë aftësitë në fushë duke filluar në fundjavën e ardhshme pasi kemi një ndeshje në Mallorca ndaj Las Palmas, dhe duhet të sigurojmë pikët e plota.
A jeni i kënaqur me edicionin që keni zhvilluar?
Jo, nuk jam i kënaqur, sepse e fillova në mënyrën më të dobët, pasi humba dy penallti në fillim, nuk ia dola të rikthehesha dhe më pas pësova një lëndim që më la jashtë fushave për dy muaj. Gjëja pozitive është se tani fizikisht jam mirë, por ende më duhet kohë që psikologjikisht të përgatitem prandaj unë dua që sezoni të përfundojë dhe të gjej formën më të mirë dhe të jem gati për edicionin e ardhshëm.
Media turke ka folur për një transferim tuajin në Turqi. A mund të konfirmoni nëse kjo gjë është e vërtetë?
Unë nuk merrem me thashetheme, menaxheri im është personi që i shikon dhe i analizon këto gjëra. Unë kam një kontratë me Mallorcan deri në vitin 2027 dhe dua ta përfundoj. Mallorca është vend i bukur, familja ime është mirë këtu, nuk ndiej presion dhe momentalisht nuk kam asnjë qëllim për të ndryshuar skuadrën, në rast se klauzola ime paguhet atëherë do të jetë klubi që do të vendosë.
A mund ta bësh një paralele me kampionatet ku ke luajtur deri tani?
Po, është vërtetë, se unë kisha fatin të luaja në Serinë A. Më herët në Ligën e Turqisë dhe tani në La Liga. Personalisht mendoj se Serie A, është më e fortë se La Liga, në disa aspekte, e sidomos në atë taktik dhe fizik. Një shembull pasqyrues i kualitetit të lojtarëve që Serie A ka është Luis Alberto, një mesfushor i shkëlqyer teknikisht, por gjithashtu shumë i fuqishëm fizikisht, kjo gjë bën kampionatin italian sfidues, pasi shumë skuadra kanë lojtarë të shkathët dhe të fuqishëm prandaj nuk është lehtë të luash ndaj 19 ekipeve tjera, kurse në Spanjë hiq top-6 skuadrat e para, të tjerat janë përafërsisht të njëjta. Ato kërkojnë të shënojnë një gol, e më pas të mbrohen, ndërsa liga e Turqisë, është normalisht më mbrapa se tjerat, por edhe aty luhet shumë fort fizikisht. Në Spanjë, për shembull, klubet kërkojnë lojtarë që janë taktikisht të mirë, pasi e pëlqejnë lojën e bukur.