Sulmuesi më i ri i Mallorcas, Vedat Muriqi, ka dhënë një intervistë për mediumin e njohur spanjoll El Pais, ku ka folur për luftën që e përjetoi si fëmijë dhe tani karrierën e tij në futbollin profesionist.
El Pais e nis rrëfimin e sulmuesit me kohën e luftës, kur Muriqin ishte pesë vjeç.
Në fund të viteve 1990, si shumë familje shqiptare të Kosovës, edhe ajo e Muriqit u detyrua të ishte pjesë e një eksodi masiv drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar tmerreve të konfliktit të ashpër me Serbinë.
Ata u kthyen në vendin e tyre, tashmë të lirë, dy muaj e gjysmë më vonë.
“Pas luftës, pothuajse në çdo sferë në Kosovë, nuk kishte asgjë, por sidomos në sport. Askush nuk donte të fillonte të luante. Kur i thashë xhaxhait tim që doja të bëhesha futbollist profesionist, ai filloi të qeshte dhe më tha se ishte shumë e vështirë. Pastaj gjërat filluan të ndryshojnë, unë pata fat dhe punova shumë për të arritur në futbollin profesionist”, fillon rrëfimin e tij sulmuesi.
Ai ndalet te lufta, ku tregon ato që kishte përjetuar me familjen e tij, përcjell Telegrafi.
“Lufta është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë botës dhe çdo njeriu. E vetmja gjë pozitive për këtë është se ju bën më të fortë mendërisht dhe fizikisht. Në familjen time ne ishim rreth 50 njerëz dhe të gjithë u mbërthyen në një dhomë të një shtëpie”.
“Kur gjermanët filluan të na ndihmonin, ne duhej t’u shpërndanim të gjithëve një litër qumësht. Ishin kohë të vështira, kuptova që prindërit e mi vuanin, ne ishim fëmijë, donim të hanim e të pinim dhe ata nuk kishin të na jepnin asgjë. Për fat të mirë, askush në familjen time nuk vdiq në luftë”, tregon Muriqi.
Ai flet edhe për largimin nga Kosova për në Shqipëri, ku nuk e harron plaçkitjen e ushtarëve serbë që iu bënin shqiptarëve.
“Ata (ushtarët) erdhën në shtëpi dhe na thanë se do të vendosnin bombë. Mbaj mend që mamaja ime paketonte rrobat në çanta sa më shpejt që të ishte e mundur për të marrë makinën dhe për të shkuar në Shqipëri. Në rrugë kishte shumë rroba që ushtarët i kishin hedhur”, mbyll Muriqi pjesën e rrëfimit për luftën, duke treguar se në atë kohë nuk kishte një idhull futbolli.
Muriqi pasi e nisi karrierën me Lirinë e Prizrenit, nga mosha 17 deri në 19 vjeç ai bëri karrierë në klube si Teuta e Durrësit dhe Besa e Kavajës.
Më vonë ai zgjodhi Turqinë për të plotësuar dëshirën e tij për të qenë futbollist.
“Kisha një për qind gjasa për t’u mbetur dhe isha shumë i fokusuar sepse doja të tregoja veten. Nuk doja të kthehesha në Kosovë dhe për fat më pranuan”.
Ai shënoi gola me Girensuspor dhe Gençlerbirligi. Ai shpërtheu në Rizespor me 26 gola në një sezon të vetëm, gjë që e bëri të nënshkruajë me një nga klubet më të madhe turke, Fenerbahçen.
17 golat në 36 ndeshje inkurajuan Lazion të paguante 20 milionë euro për transferimin e tij në verën e vitit 2020.
Megjithatë, as me Simone Inzaghin dhe as me Maurizio Sarri nuk mundi të luante.
]
“Në ligën italiane ka më shumë cilësi se në atë turke dhe unë u lëndova që në fillim. Më pas u preka me COVID dhe vuajta sepse te Lazio kishte një nivel të lartë dhe nuk ishte e lehtë të arrija shokët e skuadrës. Shumë herë nuk kam pasur fat, por është e vërtetë edhe që kur më kanë dhënë mundësi nuk kam dalë mirë”, deklaroi Muriqi për periudhën e tij te Lazio.
Me vetëm dy gola, Muriqi ishte në shënjestër të tifozëve lacian, ku verën e kaluar, në një seancë stërvitore të hapur për publikun, Sarri e ndërpreu seancën dhe kërcënoi se do të përjashtonte tifozët që ofendonin sulmuesin shqiptar.
“Nuk kanë paguar 20 milionë për asgjë, kam shënuar gola në Turqi dhe në kombëtare. Mund të paguash 100 milionë për një lojtar, por kur ka lëndime nuk mund të bëhet siç pritet, ky është futbolli”.
Në dy ndeshjet me Mallorcan, ku erdhi në formë huazimi deri në fund të sezonit, ka treguar karakteristikat e tij si sulmues dhe ka emocionuar fansat e tij të rinj.
Bashkëlojtari i tij Salva Sevilla e la të gjuante penalltinë që çoi në fitoren (2-1) ndaj Cadiz, për çka e falënderon atë.
“Doja të bëja golin e parë, sulmuesit duhet të shënojnë gola dhe penalltia është një mundësi, edhe pse mund ta humbisni. Në të dytën nuk thashë asgjë dhe Salva Sevilla erdhi dhe më dha topin. Ai e kuptoi që duhej të shënoja, është një djalë i mirë dhe ajo që bëri flet për karakterin e tij, i jam shumë mirënjohës që më dha besimin”, deklaroi Muriqi.
Gjesti i Salva Sevillas përforcon idenë e Muriqit se kishte të drejtë në zgjedhjen që bëri duke kaluar te Mallorca.
“Kam pasur shumë oferta, por kuptova se në këtë klub të gjithë punojnë së bashku. Drejtori dhe trajneri më thirrën drejtpërdrejt dhe më bënë ta shihja se sa më donin”, shton ai.
“Një sulmues duhet të shënojë gola, por së pari trajneri dëshiron që unë të bëj një punë specifike në mbrojtje, nën presion dhe ta mbaj topin deri sa të mbërrijnë shokët e mi. Kjo nuk është e re për mua. Me mua dhe me sulmues të tjerë shtatlartë si Fer Nino apo Mattheë Hoppe, skuadra mund të luajë me topa të gjatë, por ne kemi edhe lojtarë që mund të luajnë shkurt”, ka thënë Muriqi në intervistën e tij për El Pais.
Muriqi nuk ka pasur ende kohë të vendosë dallimet mes Serie A dhe La Ligës, por tregon se në Itali duelet janë më të forta e sa në Spanjë.