Të premten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMË X5”.
Fillimisht prokurorja Eliza Bajrami tha se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë me 18 maj të vitit 2019, duke i propozuar gjykatës që pas administrimit të provave dy të akuzuarit Ademi dhe Rama t’i dënoj sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, prokurorja Bajrami tha se pa mëdyshje të akuzuarit Ademi dhe Rama kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen pasi që sipas saj, tërë veprimet e ndërmarra nga të akuzuarit plotësojnë figurën e veprës penale për të cilën ngarkohen.
Kujtojmë se vepra penale detyrim është e dënueshme edhe me burgim.
Ndërkaq, avokati i të akuzuarit Ademi Fis Murati fillimisht fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim duke e elaboruar shkurtimisht, duke thënë se akuza është nxjerre në kundërshtim me dispozitat materiale dhe formale.
Avokati Murati shtoi se ndjekja për veprën penale “Detyrimit” është parashkruar me 12 shtator të vitit 2022 dhe se për veprën penale që akuzohet klienti tij sipas Kodit të Përkohshëm Penal kërkon së paku tre persona për ta kryer të njëjtën e që në rastin konkret kemi vetëm dy të akuzuar.
I njëjti i propozojë gjykatës që të akuzuarin Ademi ta lirojë nga aktakuza.
Fjalën përfundimtare me shkrim e dorëzojë edhe avokati i të akuzuarit Rama, Ramiz Krasniqi, i cili shkurtimisht tha në këtë rast mungon elementi thelbësor i veprës penale për çka ngarkohet i akuzuari Rama dhe ky element sipas tij, është mungesa e grupit për kryerjen e veprës penale.
Sipas avokatit Krasniqi, meqenëse nuk ka vepër penale, sepse nuk ka grup për kryerjen veprës penale me të cilën të akuzuarit ngarkohen nga prokurorja dhe fakti se është parashkruar ndjekja penale, i propozojë gjykatës që të nxjerr aktgjykim lirues.
“Prandaj, mbetem pranë fjalës që keni me shkrim, propozoj aktgjykim lirues sepse i kemi vetëm 2 persona dhe për paragrafi 1 është parashkruar vepra penale’, deklaroi avokati Krasniqi.
Pasi që u dha edhe fjala përfundimtare shqyrtimi gjyqësore u shpallë i përfunduar nga gjykatësi Sabit Sadikaj dhe shpallja e aktgjykimi u caktua me 15 mars të këtij viti.
Paraprakisht në këtë seancë janë administruar si prova materiale si “Lajmërimi në polici i Muharem Ramës me 6 tetor 2022”, ‘Mesazhi kërcënues i datës 6 tetor 2022” dhe “Raporti i Agjencisë së Forenzikës i datës 27 dhjetor 2022”.