Vazhdon rënia e San Antonio Spurs

Vijon rënia e lirë e San Antonio Spurs. Kampionët në fuqi të NBA pësuan disfatën e tretë radhazi pasi u mposhtën në Salt Lake City nga vendasit e Utah Jazz me rezultatin 90-81. Trey Burke me 23 pikët e tij ndihmoi skuadrën e trajnerit Snyder të koleksiononte fitoren e 21-të sezonale dhe t’i shkakonte San Antonios humbjen e 22-të. Kampionët e Nba ishin në një ditë shumë të keqe aq sa më i miri mbi parket për Spurs-at rezultoi veterani Tim Duncan me vetëm 14 pikë të realizuara.

Në sfidat e tjera të NBA spikat suksesi i radhës i Houston Rockets. Një James Harden në formë të jashtëzakonshme ndihmoi skuadrën teksane të kalonte 113-102 Minnesota Timberwolves. Ylli i Rockets koleksionoi në total 31 pikë 10 asiste dhe 11 rebound në fitoren e 38-të sezonale të Houstonit. Luol Deng dhe Goran Dragic zhvilluan një ndeshje fantastike duke ndihmuar Miamin të triumfonte me rezultatin 119-108 përballë Philadelphia 76-ers. Basketbollisti anglez realizoi gjithsej 29 pikë ndërsa play-makeri slloven shtoi 23 pikë të tjera si dhe koleksionoi 10 asiste në fitoren e Heat-save.