Drita u mposht në shtëpi nga Ballkani me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 33-të në Albi Mall Superligën e Kosovë, duke ia vështirësuar punët vetës në garën për titull.
Trajneri Akis Vavalis ka thënë pas ndeshjes se ata pësuan një humbje të pamerituar dhe se duhej të kishin fituar tri pikë nga ky takim.
“Kemi pranuar gol të hershëm dhe më pas kemi reaguar. Kemi barazuar rezultatin dhe në pjesën e dytë kemi dominuar plotësisht në fushë”, ka thënë trajneri grek për ArtSport.
“Krijuam disa raste që nuk i konkretizuam. Ballkani nuk kishte asnjë rast, ndërsa shënoi nga një ndërprerje. Kjo ishte vendimtare”.
“Para dy javësh ishim prapa Ballkanit dhe arritëm t’i fitonim dy ndeshje për të dalë në krye të tabelës. Do ta harrojmë këtë ndeshje pasi ende kemi shanse për të dalë kampion. Kemi disa ditë për t’u përgatitur dhe nisur që nga ndeshja me Gjilanin, do të mundohemi t’i fitojmë gjitha ndeshjet e mbetura”.
“Çdo gjë është në dorën tonë. Në përgjithësi, edhe pse nuk kemi skuadër me shumë lojtarë, do të mundohemi të jemi gati për derbi. Do të jemi në të njëjtin nivel që ishim sot. Sot humbëm por nuk e merituam humbjen”, ka shtuar më tej Vavalis.