Varrimi i babait të Mërgim Mavrajt dhe ngushëllimi i madh i De Biasit (VIDEO)

Mijëra njerëz e kanë përcjellë babain e  Mërgim Mavrajt, Mustafë Mavrajn, për në banesën e fundit. I ndjeri ndërroi jetë të premten në moshën 61-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, ndërsa u varros të shtunën në vendlindjen e tij, në Staradran të Istogut.

Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përzgjedhësi i Kombëtares kuqezi, Gianni de Biasi, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, klubet e Prishtinës e Istogut, si dhe grupi i tifozëve Kuq e Zi, raporton Tribuna Channel.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, të dielën e kaluar shënoi gol me Shqipërinë, ndërsa atë ia dedikoi pikërisht babait të tij, i cili ndodhej në Gjermani për kurim.

Mavraj-2

Lojtari i Kolnit në Bundesliga 1, i printe rreshtit të madh të të afërmve të tij, për të përcjellë ata që e nderuan me pjesëmarrje.

“Faleminderit nga ai çfarë djali na e ka lënë”, i thoshte një tifoz Mavrajt gjatë ngushëllimit.

E kur i erdhi radha ngushëllimit të Gianni de Biasit, përqafimi zgjati disa sekonda.

Italiani kishte ardhur enkas nga Italia për të ngushëlluar 29-vjeçarin.

Drejtuesit e Federatës shqiptare, Tifozët Kuqezi, Prishtina e Istogu, vunë kurora në varrin e të ndjerit. (Gazeta Olle)