Varane kërkon të largohet nga Reali

Raphael Varane, mbrojtësi i talentuar francez që shkëlqeu në epokën e Mourinhos, ka dyshime për vazhdimësinë e tij me Ancelottin në krye të Realit të Madridit. Me interesimin që kanë treguar klube të kalibrit të rëndë si Chelsea apo Manchester United, Varane ka nisur të mendojë për të ardhmen, duke patur parasysh se në këtë moment delikat të karrierës duhet të luajë më shumë.

Me dy veteranë në mbrojtje si Ramos e Pepe, klubi madrilen aktualisht e ka të pamundur t’i ofrojë francezit më tepër hapësira, pa harruar faktin që portugezi është në negociata për rinovimin e kontratës. Në këto kushte, është Chelsea që shfaqet në skenë si shpëtimtar, i gatshëm të ofrojë plot 40 milionë euro. “Special One” e njeh mirë potencialin e Varane, të cilin gjatë kohës së tij te Reali nisi ta preferonte më shumë se Pepe.

Gara në ndjekje të mbrojtësit 21-vjeçar bëhet edhe më interesante me Manchester United që gjithashtu e ka prioritet. Trajneri Van Gaal ka pranuar se një nga pikat e dobëta në skuadrën e tij është mbrojtja dhe Varane shikohet si përforcimi ideal për të rritur kualitetin në prapavijë.