Kampioni i Kosovës ka vazhduar me përforcimin e skuadrës para nisjes së sezonit 2021/22 në Superligën e Kosovës, shkruan Gazeta Olle.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e njohur shqiptar, Kristi Vangjeli, i cili në dy sezonet e fundit luajti te Tirana.
35 vjeçari ka thënë se shpreson që gjithë përvojën dhe forcën në karrierën e tij t’ia përcjell ekipit.
“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Ndjehem mirë që do të vazhdoj të vesh fanellën bardh e kaltër, kjo një kënaqësi më tepër. Vije në një ekip kampion dhe shpresoj që gjithë atë përvojë dhe forcën në karrierën time t’ia përcjell ekipit këtu, të ndihmoj në maksimum, qoftë për të arritur kalimin e turneve në Evropë, qoftë për të arritur prapë objektivin kryesor të klubit, titullin e kampionit”.
“Të them të drejtën, kuptohet, për ardhjen time kanë ndikuar edhe shokët që kam pasur në skuadra si Lilaj, Mici, Abazi e Muça, duke këmbëngulur edhe klubi që të më ketë në radhët e saj, duke shprehur besim në mua plus që është ekip që lufton gjithmonë për titullin e kampionit. Dhe kjo më obligon që të shtyj akoma më shumë forcën time”.
“Sa për moshën time, shpresoj të tregojë vetë fusha moshën time. Besoj se jam dhe ndjehem ashtu sikur verëra sa më e vjetër aq më e mirë. Shpresoj këtë ta tregoj në fushë dhe mos t’ia lë asnjë tifozi apo analisti për të ma përmendur moshën time”, ka përfunduar Vangjeli për faqen zyrtare të Prishtinës.
/Gazeta Olle/