Në prag të debutimit ndaj Senegalit në Botërorin Katar 2022, trajneri holandez Louis Van Gaal foli në një konferencë për shtyp, duke analizuar situatën e Holandës dhe rreziqet e ndeshjes kundër afrikanëve.
“Senegali është kampion i Afrikës dhe nuk do të jetë e lehtë. Mungon Sadio Mane, por nga ana tjetër Memphis Depay nuk do të jetë aty për ne. Unë jam një tifoz i Sadio Mane. Kur isha trajner në Manchester United, u përpoqa ta afroja atë. Mendoj se është një mungesë e madhe për Senegalin.”-tha ai.
Më tej tekniku theksoi se ai e ka vendosur tashmë formacionin me të cilin do të luajë ndaj Senegalit.
“Unë kam vendosur tashmë se kush do të luajë nesër. Nuk ishte një vendim i vështirë. Në 2014 ne përfunduam të tretën me një ekip më cilësor se tani. Mendoj se mund ta fitojmë Kupën e Botës.”-deklaroi Van Gaal.
Më tej shtoi se Spanja është një ndër favoritët për të fituar këtë trofe.
“Unë mendoj se Spanja është ndër favoritët për të fituar Kupën e Botës, jo vetëm për shkak të mënyrës së lojës, por edhe për shkak të trajnerit.”-shtoi ai.