Valon Berisha zbulon se çfarë iu tha Alain Giresse pas pjesë së parë

Valon Berisha ishte njeriu që zhbllokoi një ndeshje që po komplikohej gjithmonë e më shumë dhe i hapi udhë fitores së Kosovës në transfertën ndaj Qipros. Mesfushori me eksperiencë lëshoi një goditje perfekte nga distanca dhe theu portierin qipriot, që deri atëherë ishte treguar perfekt.

Duke folur për SuperSport, Berisha analizoi gabimet që bëri skuadra në pjesën e parë dhe tha se qartësia taktike ishte ajo që bëri diferencën dhe u dha tre pikët dardanëve në këtë transfertë.

Çfarë nuk shkoi mirë në pjesën e parë?
E diskutuam këtë edhe në fund të pjesës së parë, pasi kishim shumë hapësira mes reparteve dhe nuk arrinim të rikuperojmë topin. Në pjesën e dytë mbajtëm pozicionet tona dhe u vendosëm mirë taktikisht, duke shtuar presingun dhe krijuar shumë raste. Jemi shumë të kënaqur që treguam fytyrën tonë të vërtetë në pjesën e dytë dhe morëm tre pikët, ndaj tani presim mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në stadium. Është një fillim mjaft i mirë dhe shumë i rëndësishëm, në një transfertë të vështirë, ndaj ishim përgatitur 100% për të marrë fitoren.

Çfarë ju tha trajneri Giresse gjatë pushimit?
Ishim pak të stresuar të gjithë, pasi nuk ishim grup dhe nuk bënim të njëjtën gjë në pjesën e parë. Mua më kërkoi të ruaj pozicionin tim dhe të mos lëviz shumë. Bashkë me Bledin bëmë më mirë në pjesën e dytë, duke ruajtur zonat tona. Kjo ishte zgjidhja taktike, që na solli edhe fitoren e ndeshjes.

A besoni te kualifikimi?
Normalisht besojmë edhe ne. E dimë që ka për të qenë e vështirë, por me rëndësi ishte që morëm tre pikët sot. Sonte do të udhëtojmë drejt Kosovës dhe do të pushojmë, ndërsa nga nesër do të nisim të analizojmë Greqinë. Fillimi ishte i mirë dhe jemi maksimalisht të angazhuar për të bërë akoma më mirë. Do të provojmë të kualifikojmë Kosovën, ndonëse është e vështirë.

Rrahmani i kënaqur me fitoren, tregon problemin me të cilin po përballet ekipi

Giresse: Ndeshje e mirë që na jep vetëbesim, tani duhet të përgatitemi për Greqinë