Unitedi shkatërron Leedsin në ndeshjen e parë të edicionit të ri

Manchester Unitedi e ka nisur në mënyrë të mrekullueshme sezonin 2021/2022 në Ligën Premier duke triumfuar përballë Leeds United me rezultat 5-1.

Në sfidën e zhvilluar në Old Trafford, vetëm një gol u shënua në pjesën e parë. Rezultati u zhbllokua në minutën e 31-të të lojës kur Bruno Fernandes u bë golashënuesi i parë i Unitedit për sezonin e ri.

Megjithatë, Paul Pogba ishte arkitekt i këtij goli. Mesfushori francez dhuroi një asistim të mrekullueshëm drejt bashkëlojtarit duke e nxjerrë përballë portierit dhe portugezi me vole e kaloi skuadrën e tij në epërsi.

Me të filluar pjesa e dytë (48’), Luke Ayling i barazoi shifrat me një gol të bukur të realizuar nga largësia.

Porse aty ishte Pogba për të nisur një superasistim drejt Mason Greenwood, i cili vazhdoi përpara dhe riktheu epërsinë e Djajve të Kuq (52’).

I menjëhershëm ishte reagimi i radhës nga mesfushori francez, i cili asistoi te Bruno Fernandes. Portugezi e ndali topin me një lëvizje të mrekullishme dhe e shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën (54’).

Fernandes vazhdoi të ishte i jashtëzakonshëm duke e kompletuar het-trikun pas një asistimi këtë herë nga Victor Nilsson Lindeloef (60’).

Pogba nuk u ndal me asistimet. E dhuroi edhe të katërtin për Fred dhe ai ishte i saktë (68’) duke shënuar për rezultatin (5-1).

Tri pikë më se të merituara nga Manchester Unitedi në ndeshjen e parë sezonale që premton të bëjë një edicion të mirë dhe konkurrues me rivalët për titull.

Del në shitje faculeta me të cilën Messi fshiu lotët, ky është çmimi marramendës për ta blerë atë!

Tenistja kosovare Vesa Gjinaj kualifikohet në finale të turneut ‘Neocom Open 2021’