Unitedi me një armë më shumë në sulm, hedhen poshtë të gjitha akuzat ndaj Greenwood

Akuzat ndaj futbollistit të Manchester United Mason Greenwood janë hedhur poshtë. Policia e Manchesterit ka njoftuar në mesditën e së enjtes se procedimi penal ndaj 21-vjeçarit ka marrë fund pas një sërë hetimesh. Sulmuesi 21-vjeçar ishte i akuzuar për tentativë përdhunimi, përfshirje në sjellje kontrolluese dhe shtrënguese dhe sulm, akuza në lidhje me të njëjtën grua. Por në një deklaratë të dhënë nga kryeinspektorja Michaela Kerr u shpreh:

“Duke pasur parasysh mbulimin e konsiderueshëm mediatik të këtij rasti, është e drejtë që të ndajmë lajmin se 21-vjeçari, i cili mbahej i arrestuar dhe i akuzuar në lidhje me një hetim të hapur në janar 2022, nuk përballet më me procedim penal në lidhje me këtë çështje.”

Greenwood, i cili iu bashkua United në moshën gjashtëvjeçare qëndronte i pezulluar nga të gjithë aktivitetet me klubin gjatë gjithë procesit gjyqësor. Greenwood nuk luan futboll prej më shumë se një viti teksa ndeshja e fundit që ai luajti me fanellën e “Djajve të Kuq” ishte në Premier League kundër West Ham më 22 janar të 2022.

Rreth një javë pas ndeshjes, më 30 janar, Greenwood u arrestua pasi e dashura e tij bëri një sërë postimesh të cilat ngritën alarmin në Twitter. Ai u arrestua dhe që atëherë u pezullua nga United. Menjëherë pas shpërtheu lajmi, sponsori i tij Nike njoftoi se kishte ndërprerë kontratën me futbollistin, duke konfirmuar më vonë se partneriteti kishte përfunduar. Prokurorët mbajtën Greenwood të akuzuar për tre veprat penale për muaj me radhë deri në momentin që akuzat mbi 21-vjeçarin ranë poshtë.

Tanimë mbetet të shihet nëse Man.United do të rikthejë në ekip Mason Greenwood, me “Djajtë e Kuq” që për momentin kanë zgjedhur të mos e komentojnë situatën. Mason Greenwood është nën kontratë me United deri në verën e vitit 2025, gjatë kohës që përfiton edhe 75,000 paundë në javë.

Januzaj me valixhe në duar, drejt transferimit te skuadra turke

Greenwood reagon pasi u lirua nga të gjitha akuzat