Manchester United ka vendosur të emërojë Erik Ten Hag si trajner të sezonit të ardhshëm. Anglezët janë të bindur se tekniku i Ajax është i duhuri për të nisur një cikël në Old Trafford dhe për të rikthyer ekipin në nivelet më të larta.
Madje, për ta bërë këtë janë të gatshëm t’i japin kohën e nevojshme Ten Hag, diçka të cilën nuk e kanë bërë në të kaluarën me trajnerët post-Ferguson. Tabloidi Mirror flet për një projekt pesëvjeçar të trajnerit holandez, teksa dy të parët do të jenë të fokusuar te ndërtimi i organikës dhe sistemit të lojës, ndërsa kërkesa e vërtetë e llogarisë nga drejtuesit e klubit do të vijë vetëm në sezonin e tretë, aty ku do të kërkohet të merren rezultate dhe puna e Ten Hag të japë “frytet” e para.
Ronaldo, Matic, De Gea, Dalot apo Rashford pritet të “përshëndeten” me United, teksa klubi projektohet tek të rinjtë, ndërsa Ten Hag do t’i duhet të shndërrohet në një “Klopp”, që ashtu si gjermani te Liverpool, do të kërkojë te tregohet i durueshëm për të shkuar deri në fund të projektit.