Ulpiana dhe Vllaznia hedhin poshtë deklaratën e FFK-së: Nuk e kurdisëm ndeshjen, po mbrohen klubet tjera

Ndeshja në mes të Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozheranit në Ligën e Parë Grupi B ishte mbyllur me rezultat 4-3 në të mirë të mysafirëve, por sot është anuluar, pasi sipas Komisionit të Garave ajo ka qenë e kurdisur.

Kështu thuhet në vendimin për këtë ndeshje, teksa përballja do të regjistrohet si ndeshje e luajtur, por pikët dhe golat nuk do të regjistrohen.

Përballja Ulpiana-Vllaznia ngjalli shumë polemika fundjavën e kaluar, me mënyrën se si Vllaznia shënoi golat, ku pozharanasit fituan ndeshjen 4-3 edhe pse pas pjesës së parë ishin duke pësuar humbje.

Pas këtij vendimi, klubi nga Pozharani, që fitoi ndeshjen, ka reaguar përmes faqes zyrtare, duke shkruar se ky vendim po merret për tu dal në ndihmë disa klubeve që zyrat e FFK-së i kanë bërë si shtinë e tyre.

Po ashtu Vllaznia ka pasur disa fjalë edhe për trajnerin e Flamurtarit, Liridon Leci, duke ia kujtuar akuzat për kurdisje në futbollin suedez, por edhe zyrtarin Gazmend Bojnikun, i cili është shef i integritetit të garave në FFK dhe ishte i pranishëm në ndeshje.

“FFK, nuk po di si të ja u bëjë argatin atyre që kanë bërë si shtëpi selinë e FFK-së përveç skandaleve vit pas viti të tyre tani paskan marrë në dorë edhe rolin e “prokuroreve dhe të gjykatësve!”.

“KF Vllaznia si të mos ishte pjesë e Federatës së Futbollit të Kosovës, duke mësuar nga rrjetet sociale për ankesat dhe duke parë vendimet e FFK-së në portale ende pa na dorëzuar neve si klub, tregon shumë se cili është qëllimi! Përgjigja është e thjeshtë ndihmë për klubet që qëndrojnë më shumë në selinë e FFK-së se në zyrat e tyre, dhe dëmtim për klubet që nuk pajtohen me mendimet e udhëheqjes së FFK-së”.

“KF Vllaznia hedh poshtë këto pretendime të cilat trajneri i KF Flamutarit z. Leci në emision televiziv  akuzoj klubin tonë ( i akuzuar në Suedi për kurdisje të ndeshjeve ) dhe tani kryetar i komisionit të garave së bashku me komisione skandaloze.  Po një gjë do të ju bëjmë të qartë do të kërkojmë të drejtën tonë në rrugët ligjore për ata të cilët kanë lakuar emrin e klubit tonë”.

“Ky është një keqpërdorim i pozitave zyrtare të Komisionit të garave, pasi që thirren në nenet të cilat s’kan të bëjnë me këtë ndëshkim, pa asnjë fakt të vetëm për klubin tonë, nuk ka as inicim të hetimeve të organeve shtetërore komisioni i FFK-së apo personi i cili ka marrur këtë vendim duke marrur drejtësinë në dorën e tij, duke bërë konstatime jo të vërteta për klubin tonë, nuk janë të thirurr komisioni i garave edhe ekspert për konstatime për kurdisje të lojës”.

“Nuk e kuptojmë pse për zyrtatin e klubit tonë z. Pira të filloj procedurë disiplinore, ndërsa ndajë zyrtari të FFK-së z. Gazmend Bojniku i cili ishte prezent ne lojën e zhvilluar në Lipjan. Zyrtari në fjalë shkon te bankina e nikoqirit dhe ju bënë presion të fitojnë lojën, para gjithë publikut të pranishëm, ku edhe ka qenë afër të eskaloj situata mes tifozërise, për paradoks ky zyrtarë ditën e nesërme e thirr për deklaratë zyrtarin tonë të ndeshjes z. Pira në selinë e FFK-së”.

“Ju rikujtojmë personave në fjalë se nuk ju kemi nënshtruar as ish-sistemit por garojmë që 52 vite edhe asnjëherë s’ka luajt kështu me emrin e klubit tonë, ju bëjmë me dije që këtë do të përgjigjem në gjuhen që këta e kuptojnë”, thuhet në reagimin e Vllaznisë së Pozharanit.

Kryetari i Ulpianës, Jeton Gashi: Ju garantoj me jetë që nuk ka kurdisje

Kryetari i Ulpianës, Jeton Gashi e ka vlerësuar skandaloz dhe të njëanshëm konstatimin e Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës se ndeshja Ulpiana – Vllaznia e Pozheranit, ka qenë e kurdisur. Ai ka mohuar kurdisjen.

“Unë si kryetar i klubit të futbollit Ulpiana, unë jam këtu shef dhe unë pyetem për çdo gjë. Ulpiana nuk ka kurdisur, pare nuk ka marrë, pikë. Këtë e garantoj me jetë. Është vendim skandaloz dhe i njëanshëm. Ky është vendim hatri i dikujt. Kjo po bëhet se po i pengon Flamurtari të bie nga liga”, ka deklaruar Gashi që dikur ishte lojtar i këtij klubi.

Sipas Gashit, krejt kjo situatë ka qenë e përgatitur, duke e implikuar edhe ky i fundit, Gazmend Bojnikun.

“Atë ditë çdo gjë ka qenë e përgatitur kundër nesh. Ka qenë njëfarë Gazi (Gazmend Bojniku) që merret për trukimin e ndeshjeve dhe vjen thotë fitojeni  lojën. E përgatitur krejt kjo ka qenë. Do te ankohemi patjetër, shtatë ditë është afati. Do të ankohemi ekstra edhe për atë Gazin. Në minutën 70-80 ka ardhur te banka edhe ju ka bërtitur ekipit tonë fitojeni lojën”, ka përfunduar Gashi në një deklaratë për Telegrafin.

Tashëm vendimi i radhës pritet të merret për dënimin e palëve të implikuara në kurdisjen e ndeshjes.

“Marrja e 9 pikëve deri te largimi nga rangu i garave” – çfarë thotë Rregullorja Disiplinore e FFK-së ata që kurdisin ndeshje

Këto janë shtatë golat e shënuar në ndeshjen Ulpiana – Vllaznia, që u konsideruar si e kurdisur nga FFK