Ujkani, negociata për rinovimin me Palermon

Samir Ujkani ka nisur bisedimet me drejtuesit e Palermos për zgjatjen e kontratës që i skadon në muajin qershor. Portieri i përfaqësueses së Kosovës, nuk është aktivizuar titullar gjatë këtij sezoni, duke qenë zëvendësues i Stefono Sorrentinos, që po zhvillon një kampionat shumë pozitiv. Hierarkia e trajnerit Iachini nuk i jep mundësi Ujkanit të kenë më shumë minuta në Serinë A, të paktën për këtë sezon, pasi mosha e Sorrentinos favorizon 26-vjecarin përsa i përket të ardhmes.

Garancia që do të marrë Ujkani për t’u aktivizuar titullar do të jetë çelësi i arritjes së marrëveshjes mes palëve, ndaj pritet shumë shpejt që të zyrtarizohet rinovimi i kontratës. Ujkani është pjesë e Palermos që nga viti 2008, ndërsa për tre sezone është aktivizuar në formë huazimi te Novara në tre kategori të ndryshme të futbollit italian. Gjithsesi gjatë sezonit 2014-2015 nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Serinë A, ndërsa në Kupën e Italisë është aktivizuar në një takim.