UEFA dënon Interin

 

Interi pret shtrëngatën e UEFA-s. ‘Gazzetta Dello Sport’ bën të ditur duke ju referuar burimeve nga selia e UEFA-s në Nyon se klubi zikaltër dhe Roma shumë shpejt do të vihen në dijeni të ndëshkimeve për mosrespektimin e ‘Fair Play Financiar’.

Dy klubet rrezikojnë ndëshkime të nivelit të ndryshëm, lidhur me situatat respektive në buxhet, më i ashpër pritet të jetë dënimi për Interin. UEFA do të dalë me një vendim pas një mbledhjeje që është mbajtur në fundin e javës së kaluar, ku Paneli i komisionit hetues ka verifikuar gjithë bilancet duke marrë parasysh edhe merkaton e janarit, dhe ka vendosur në marrjen e masave që pritet të bëhen të ditura shumë shpejt. Të dy klubet edhe pas marrjes së dënimit do të kenë mundësinë që të prezantohen sërish në Nyon në një takim ku UEFA shpreson të arrihet në pranimin e dënimit apo të një pakti nga ana e klubeve.

Interi rrezikon para së gjithash një gjobë nga 6 deri në 7 milionë euro, si dhe reduktimin e grupit në listën UEFA nga 24 në 21 futbollist. Nëse nuk do të ketë reduktim të listës UEFA, Interi do të detyrohet që të përfshijë në grupin e parë një numër më të madh futbollistësh të rritur në ekipet e tij të të rinjve se sa ai i lojtarëve që janë afruar në vitin e fundit të merkatos. Situata është më e qetë për sa i përket Romës që mund edhe ti shpëtojë sanksioneve të UEFA-s.