UEFA nuk diskuton për Kosovën në mbledhjen e fundit para shortit të Botërorit

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet më 29 e 30 qershor, por Kosova nuk është në agjendë, shkruan sot Koha Ditore. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s para hedhjes së shortit për kualifikimet për botërorin e vitit 2018, nuk do të diskutohet për Kosovën.

Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të mbahet më 29 e 30 qershor në Pragë, ndërsa shorti i kualifikimeve për botërorin “Rusia 2018” do të tërhiqet më 25 korrik në St. Petersburg të Rusisë. Mbledhja tjetër e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të mbahet vetëm më 17 e 18 shtator në Maltë.

Kosova synon të jetë pjesë e kualifikimeve për botërorin e vitit 2018, që nisin në vjeshtë të vitit 2016, përkatësisht më 4 shtator të vitit të ardhshëm.

Botërorin e organizon Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), por ishte pikërisht Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s që konfirmoi formatin e garave kualifikuese të zonës evropiane, në mbledhjen që e mbajti më 22 e 23 maj.

Sipas një njoftimi të UEFA-s, pas asaj mbledhjeje Rusia kualifikohet direkt, ndërsa Gjibraltari, që është anëtar i UEFA-s, nuk merr pjesë në kualifikime pasi nuk është anëtar i FIFA-s.