Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Vokrrit, i cili u nda nga jeta tre vjet më parë, krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi dhe familjes Vokrri, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, personalitete politike, bashkëlojtarë dhe miq të shumtë të Legjendës.
Pasi u bë zbulimi i shtatores nga kryeministri, Albin Kurti, presidenti i i FFK-së, Agim Ademi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i tifozëve Dardanët, Lulzim Berisha dhe djali i legjendës së Fadil Vokrrit, Gramozi, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan kryeministri Kurti, presidenti i FFK-së, Ademi, djali i Legjendës, Gramozi dhe bashkëlojtarët e tij Bruno Ceka e Ramadan Cimili.
Kryeministri Kurti duke folur për arritjet individuale tē Vokrrit u shpreh: “Sa herë e merrte topin afër gjashtëmbëdhjetëmetërshit, i gjithë stadiumi ishte në këmbë, e kur shënonte, të gjithë ishim në ajër”, ka theksuar Kurti.
Ai ritheksoi kontributin e pazëvendësueshëm të Fadil Vokrrit në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, teksa theksoi se shtatorja e përuruar sot le të bëhet vendtakim i sportistëve vendor dhe pikë vizituese për sportistët ndërkombëtarë.
Ndërkaq, presidenti i FFK-së, Agim Ademi tha se Vokrri përveç kontributit të jashtëzakonshëm në futboll ishte kontribuues edhe në shumë sfera tjera për vendin.
“Vokrri ka pasur shoqëri dhe ka pasur ndikim për shumë gjëra që ka bërë jashtë futbollit për shtetin dhe për të gjithë ne që jemi sot këtu. Kulmi i tij dhe synimi i tij që ka qenë që Federatën e Futbollit ta dërgojë në UEFA e në FIFA. Ai e arriti këtë me shumë mund, por gjithçka ka shkuar në bazë të emrit të tij dhe fuqisë së tij. Kur them që Fadili ka qenë shumë-dimensional dhe ka pasur shumë shokë, këtë e tregon edhe prania e shumë njerëzve të tij të cilët sot janë me ne”, ka theksuar presidenti Ademi.
Djali i Fadil Vokrrit, Gramozi tha se figura e Legjendës duhet të shërbejë si inspirim për gjeneratat e reja.
“Përtej kësaj pune shumë të bukur, jam edhe unë pak i emocionuar por prapë le të shërbejë kjo për gjeneratat e reja dhe të jetë një inspirim se me punë dhe me angazhim e vullnet mund të arrihet gjithçka. Ky stadium, kjo kombëtare është një realitet i padiskutueshëm që u krijua falë këtij mentaliteti”, u shpreh ai.
Ish-futbollisti i Prishtinës, Bruno Ceka e ka kujtuar Vokrrin në kohën kur Kosova ende nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht.
“Nuk di se si të shprehem pasi jam më se i emocionuar. Vetëm një rast të vogël po ua tregoj. E organizuam një turne të futbollit në Dallas edhe u bashkëngjit edhe Fadili më Agim Canën e Sylejman Demollarin. Në atë turne ishte e ftuar Argjentina dhe Brazili. Aty fillojë baza e parë e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar”, theksoi ai.
Ndërkaq, ish-kapiteni i Prishtinës, Ramadan Cimili u shpreh: “Jam krenar që kam qenë kapiteni i tij. Por, jam krenar që ka qenë edhe kapiteni im. Prandaj, ne kemi një gjeneratë që nuk duhet kurrë të harrohet, sepse e kemi mbajtur futbollin gjallë dhe e kemi prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë.