U transferua me shumë bujë te Prishtina, por mesfushori konfirmon se ka kërkuar largimin nga klubi

Florent Avdyli u rikthyer në futbollin kosovar te Prishtina, pas suksesit të madh në Superioren shqiptare me Teutën.

Kryeqytetasit nënshkruan kontratë tri vjeçare me mesfushorin, por gjërat nuk kanë shkuar mirë që nga marrëveshja mes tyre, shkruan Gazeta Olle.

Së fundmi u raportuar se trajneri i ri i Prishtinës, Abdulah Ibrakovic i ka njoftuar pesë futbollistë të Prishtinës se nuk llogaritë në shërbimet e tyre që nga janari.

Mes këtyre emrave u përfshi edhe Florent Avdyli.

Në një prononcim për Gazeta Olle, Avdyli theksoi se ishte vetë ai që ka kërkuar largimin nga bardhekaltrit.

“Nuk është e vërtetë që trajneri ka kërkuar largimin tim. E vërteta qëndron se unë kam kërkuar largimin nga Prishtina”, tha Florent Avdyli për Gazetën Olle.

“Për hir të korrektësisë nuk dua të flas më shumë rreth kësaj, deri sa të arrijmë një marrëveshje të përbashkët me klubin. Jam në pritje të përgjigjes nga presidenti”, vazhdon tutje Avdyli.

Ish-anëtari i Teutës së Durrësit ka deklaruar se ka shumë arsye që kanë bërë që ai të kërkoj largimin.

“I kam treguar edhe trajnerit se dua të largohem dhe për këtë ka shumë arsye”, u shpreh Avdyli.

Prishtina ka dëshpëruar në gjysmën e parë të sezonit 2021/22 duke përfunduar në pozitën e pestë me 24 pikë nga 18 ndeshje të zhvilluara.

/Gazeta Olle/

Progni: Është e rëndësishme të jemi kampion vjeshtor, kjo fitore i dedikohet tifozëve tanë

FFK arrin marrëveshje për prodhimin e orëve zvicerane të personalizuara