‘U tradhtuam nga bashkëlojtarët’

Ferizaj ka udhëtuar pa dy prej lojtarëve kryesorë në ndeshje kundër Feronikelit, takim të cilin ferizajasit e humbën me rezultat 4:0. Enis Kuka dhe Behar Bardhi nuk udhëtuan fare me skuadrën.

Këta futbollistë ndjehen të tradhtuar nga trajneri Rexhep Murseli dhe bashkëlojtarët, pasi sipas tyre fjalët ishin që të mos udhëtohet nëse nuk paguhen më parë, pagat e prapambetura. “Ne si lojtarë morën vendim që të mos stërvitemi e as të mos luajmë pa u paguar pagat. Jemi ndjerë të tradhtuar nga trajneri dhe bashkëlojtarët, pasi ata shkelën fjalë që i kishim dhënë njëri-tjetrit. Ata udhëtuan ndërsa ne jo”, tha Enis Kuka për Gazetaolle.com.

Sulmuesi Kuka, i cili është një nga lojtarët më të mirë të Ferizajt këtë kampionat, thotë se nuk do t’i bashkohet ekipit pa u paguar borxhet ndaj tij (dy paga). “Nëse nuk na shlyejnë obligimet që i kanë ndaj nesh, ne nuk do të shkojmë në ekip”, përfundoi Kuka.

Ferizaj në vitet e fundit është përballur me probleme të mëdha financiare.