U rikthye në fushë me gol pas tre muajve, Namani: Ndjenjë e mirë të luaj përsëri, Drita kërkon t’i rikthejë trofetë

Hamdi Namani ka lënë mbrapa lëndimin që e mbajti për më shumë se tre muaj jashtë fushave.

Mesfushori llapjan i mungoi Dritës në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar, derisa nuk ia doli të bëhet gati as për garat evropiane.

Përkundër se nuk luajti as ndaj Deqiçit e as ndaj Feyenoordit, Namani i qëndroi afër skuadrës në këto dy takime, duke i motivuar bashkëlojtarët e tij.

Megjithatë rikthimi i shumëpritur për të erdhi të shtunën në mesditë, ku Drita luajti miqësore me Vjosën të cilën e fitoi me rezultat 2-1.

Namani zbriti në fushë nga minuta e parë, derisa shënoi edhe një gol në këtë test për skuadrën e Ardian Nuhiut.

Në një prononcim për Gazetën Olle, Lumi ka folur për kohën që ai qëndroi jashtë fushave.

“Ka qenë një kohë shumë e rëndë për mua. Lëndimi erdhi në momentin vendimtar të kampionatit dhe më vije keq që nuk munda dot t’i ndihmojë shokët e ekipit në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar”.

“Ai lëndim më la pa i zhvilluar edhe ndeshjet evropiane, por unë kam qëndruar afër ekipit gjatë gjithë kohës dhe tani jam mirë”, tha Namani për Gazetën Olle.

Ish-anëtari i Llapit është i lumtur që ka filluar të luaj përsëri.

“Për ne futbollistët mos të luajmë tre muaj është shumë kohë e gjatë dhe e mundimshme. Vërtetë jam i lumtur që kam filluar të luaj, edhe pse ende nuk jam në formën më të mirën të mundshme”, tha Namani.

Drita është përforcuar shumë për sezonin e ri, pasi klubi gjilanas synon që të fitojë trofe dhe i këtij mendimi është edhe Namani.

“Drita është skuadër që gjithmonë lufton për trofe dhe edhe këtë vit do të jetë njëjtë”.

“Qëllimi i skuadrës është që t’i fitojë të dy trofetë, kampionatin dhe Kupën dhe do ta japim maksimumin për ta bërë një gjë të tillë”.

“Sigurisht që me ndihmën e tifozëve tanë fantastik ‘Intelektualëve’ në tribuna, do të bëjmë më të mirën që t’i sjellim trofetë në qytetin tonë”, u shpreh Namani për Gazetën Olle.

Namani po fillon sezonin e tij të tretë me Dritën, derisa vlerësohet si njëri nga mesfushorët më të mirë në Kosovë.

/Gazeta Olle/

Zyrtare: Arb Manaj prezantohet te skuadra e re në Turqi

Zyrtare: Ardian Ismajli prezantohet te Empoli