U pagaun për të mos e lënduar Messin

La Nacion nga Argjentina ka zbuluar se Julio Grondona, kryetari i Federatës Argjentinase të Futbollit në vitin 2010, ka paguar nga 9 mijë euro secilin lojtar të përfaqësueses së Irlandës, në mënyrë që këta të fundit të mos e dëmtonin Lionel Messin.

Ndeshja do të luhej më 11 gusht 2010 në Dublin. Në atë kohë, irlandezët akoma ishin të zemëruar nga eliminimi në “play-off” nga Franca, pas golit që erdhi pas prekjes me dorë të Thierry Henry.

Sipas raportimeve, thuhet se Grondona kishte frikë se irlandezët do ta nxirrnin inatin te lojtari më i mirë në botë. Gjithashtu, mësohet se Sepp Blatter ka qenë në njohuri për këtë rast. Tani është e ditur, që edhe FIFA është munduar t’u mbyllë gojën irlandezëve duke ofruar miliona.

Në marrëveshjen që ishte bërë për këtë miqësore, Messi duhej të luante me patjetër, ndryshe Argjentina duhet të dëmshpërblinte. Shuma për dëmshpërblimin ishte shumë e lartë, prandaj Grondona zgjodhi të paguajë secilin lojtar me nga 9 mijë euro.

Ndeshja u zhvillua në “Aviva Stadium” dhe Argjentina fitoi 1-0 falë një goli të Di Marias. Lionel Messi luajti vetëm 58 minuta, pasi u zëvendësua nga Ezequiel Lavezzi.