U munduan ta mbajnë në kryeqytet por ishte e pamundur, Prishtina i jep lamtumirën e duhur Dellovës

Lumbardh Dellova ishte ndër futbollistët kryesor të Prishtinës gjatë edicionit të fundit, ku edhe i ndihmoi të shpallen kampionë të Superligës.

Mbrojtësi 22-vjeçar ishte i huazuar te kryeqytetasit nga skuadra e madhe kroate Hajduk Split, e cila nuk e lëshoi nga duart futbollistin dhe tashmë e ka rikthyer në radhët e veta, shkruan Gazeta Olle.

Dellova ka zgjatur marrëveshjen me Hajduk deri në verën e vitit 2025, duke u kthyer nga huazimi njëvjeçar te Prishtina.

Pas huazimit në Kosovë, ai u kthye në Hajduk dhe u bashkua me përgatitjet e ekipit të parë, duke shkëlqyer në ndeshjet përgatitore, çka bëri që klubi t’ia rinovojë kontratën.

Lamtumirën e duhur futbollistit tashmë ia ka dhënë edhe skuadra e Prishtinës, e cila me anë të një postimi në faqen zyrtare ka falenderuar Dellovën duke i uruar suksese në vazhdim.

“Faleminderit kampion, suksese në vazhdim të karrierës. Me gjithë përpjekjen për ta blerë kartonin Hajduku veçse nuk e liroi i zgjati kontratën edhe më tej. Shpresojmë që Lumbardh Dellovën një ditë ta kemi sërish në radhët tona”, thuhet në postimin e Prishtinës.

/Gazeta Olle/

Bujar Idrizi: Ne shpresojmë në kualifikim tutje, tifozët për ne janë lojtari i 12-të

Drita kërkon kalimin tutje, ndeshjet me Deçiçin