U bë gjyqtarja e parë kryesore nga Kosova që pajiset me stemën e FIFA-s, Rita Vehapi: Ishte ndjenjë e papërshkrueshme

Rita Vehapi është gjyqtarja e parë kryesore nga Kosova që është pajisur me stemën e FIFA’s. Këtë arritje ajo e përshkruan si ”një ndjenjë të papërshkrueshme” në një prononcim për Gazeta Metro kur tregon se si e kishte pritur lajmin që u publikua të mërkurën në mbrëmje, teksa flet edhe për vështirësitë e referimit në Kosovë dhe objektivat e saj.

Vehapi konsiderohet si një nga gjyqtaret më me perspektivë në vendin tonë dhe vetëm pas një viti në profesionin e gjyqtares ka arritur diçka shumë madhore.

Ajo thotë se kishte punuar mjaft shumë për të arritur deri në një ditë si kjo.

”Një ndjenjë e papërshkrueshme, duke e llogaritur që unë pas një pune intensive dhe angazhimi intensiv, kam arritur që brenda një viti të karrierës të pajisem me stemë dhe kjo do të thotë shumë, është ndjenjë e papërshkrueshme,” tha ajo për Gazeta Metro.

Tutje, Vehapi thotë se kur e kishte kuptuar lajmin që është pajisur me stemën e FIFA’s është ndjerë tejet e lumtur.

”Reagimi im ishte pozitiv, isha shumë e lumtur, sepse çdo kush që punon fort për diçka e kërkon një epilog në fund, dhe ky ishte një rezultat pas një pune e angazhimi të madh timin,” tha ajo.

Gjyqtarja nga komuna e Graçanicës për Gazeta Metro potencon se të ushtrosh këtë profesion në Kosovë nuk është edhe shumë e lehtë.

”Të jesh gjyqtare në futbollin e Kosovës nuk është edhe aq e lehtë, por kjo tashmë nuk paraqet ndonjë problem, jam e lumtur që ushtroj këtë zeje,” tha ajo.

Në fund, Rita Vehapi deklaron se objektivi i saj është të bëjë paraqitje sa më të mira që në anën tjetër të ketë mundësinë të ndajë drejtësinë edhe në ndeshje ndërkombëtare.

”Objektivi im tashmë është që të bëjë paraqitje të mira, dhe të punoj shumë që të jem e deleguar edhe në ndeshje ndërkombëtare,” përfundoi ajo

Ndryshe, në rolin e asistentes të pajisura me stemën e FIFA’s janë edhe Lumturie Muhadri dhe Fitore Govori.

Muhadri këtë e kishte fituar para disa vitesh, derisa ka pasur rastin të gjykojë edhe ndeshje ndërkombëtare. Ndërkaq, Govori stemën e FIFA’s e fitoi në të njëjtën ditë me Rita Vehapin. 

Fitorja e 11-të radhazi për kampionët

Prishtina pa shumë mund mposht Vëllaznimin