U-20 e nisin me humbje kampionatin evropian

Përfaqësuesja U20 e Kosovës ka pësuar humbje kundër Portugalisë në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit B në Kampionatin Evropian, Divizioni B që po zhvillohet në Hungari.

Kosova e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti që çerekun e parë ta përfundojë me rezultat 14:10. Qysh në fillim u pa se në ndeshje nuk do të shënohen shumë pikë, por ekipi i Kosovës pati në disa pjesë të lojës kollaps në sulm dhe kjo i mundësoi Portugalisë që në çerekun e dytë ta kthejë lojën dhe të përfundojë pjesën e parë me epërsi prej 5 pikëve 29:24.

Epërsia e portugezëve u shtua në 10 pikë pas çerekut të tretë dhe tentimi i vetëm serioz për tu kthyer në lojë nga ana e lojtarëve tanë u bë në fillim të çerekut të katërt kur u zvogëlua epërsia në 7 pikë 52:45.

Mirëpo, pas një tajm auti, Portugalia realizoi seri 8:0, duke e ngritur epërsinë në 60:45 pak më shumë se 2 minuta para fundit dhe e siguroi fitoren.

Qendra Relvao me 16 pikë dhe 16 kërcime ishte lider i Portugalisë në sulm dhe në mbrojtje bashkë me Da Silvan i cili shënoi 20 pikë.

Në një shfaqje jo të ndritshme ofensive të Kosovës, ku djelmoshat tanë patën më shumë tentime në kosh, por realizimin e kishin 25% nga fusha, duhet veçuar Arian Memetin me 11 pikë e 8 kërcime dhe Samir Zekiqin me 14 pikë e 5 kërcime.

Kosova nesër e ka ditë të lirë, kurse pasnesër ballafaqohet me favoritin e grupit, ekipin e Malit të Zi.