Turqia e nis me fitore Euro 2024, Guler shënon gol spektakolar

Turqia e nis me fitore Europianin, me skuadrën e Montella-s që triumfoi 3-1 ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e zhvilluar në “Singal Iduna Park” për llogari të grupit F.

Turqia ia doli për të marrë maksimumin, por në fushën e lojës asgjë nuk ishte e thjeshtë edhe pse përballë ishte skuadra e vetme debutuese e Euro2024, por Gjeorgjia meriton vlerësimet maksimale për paraqitjen e bërë.

Mert Muldur kaloi në avantazh turqit në minutën e 25-të me një supergol nga distance, një goditje që nuk i dha asnjë mundësi reagimi portierit Mamardashvili.

Dy minuta më pas, Turqia realizoi edhe golin e dytë me Yildiz, por në fund u vlerësua i parregullt.  Pavarësisht këtij moment, Gjeorgjia nuk u dorëzua dhe reagoi duke ndryshuar ritmin e ndeshjes dhe gjeti golin e barazimit me Mikautadze. Sulmuesi 23-vjeçar përfitoi nga një pasiguri në portën e Gunok dhe shënoi golin e historisë për kombëtaren e tij.

Pjesa e dytë ishte tepër e luftuar, me raste dhe ritëm nga të dyja skuadrat, teksa Arda Guler tregoi të gjithë potencialin e tij, klasin dhe saktësinë në minutën e 65-të duke rikthyer në avantazh Turqin, teksa në krahun tjetër, ekipi Sagnol nuk u dorëzua dhe kërkoi të shfrytëzonte të gjitha mundësit.

Por, goli rezultoi një mision i pamundur, ndikuar këtu edhe nga mungesa e fatit në minutat e fundit, teksa në minutën e shtatë të shtesës, pas një goditje nga këndi ku Mamardashvili la portën bosh me shpresën për të ndihmuar skuadrën e tij, krijoj habitatin e duhur për Kerem Akturkoglu që shfrytëzoi momentin dhe hapësirën për të realizuar edhe golin e tretë.

Në fund 3-1 dhe Turqi e nis mbarë EURO2024, ndërsa në krahun tjetër, Gjeorgjia nuk ia doli në ndeshjen debutuese, por tregoi karakter dhe dëshirë.

Sylvinho: Italia nuk na lejoi ta sulmojmë, sfida të tilla na bëjnë më të fortë

Portugali – Çeki: Publikohen formacionet zyrtare