Turan flet si lojtar i Barcelonës

Mesfushori i ri i Barcelonës, Arda Turan, thotë se gjithmonë e ka ëndërruar të luajë për skuadrën katalunase.

“Çdo kush vjen nga një vend dhe unë vi nga një vend i vogël në Turqi dhe u transferova për të luajtur në skuadrën më të mirë në botë. Të luaj për Barcelonën është ëndërr, sepse çdo futbollist do që të luajë në Camp Nou, në stadiumin më të mirë që kam qenë ndonjëherë”, ka thënë Turan për “Sport”.

Ai ka folur edhe në lidhje me dënimin e Barcelonës, që i pamundëson Turanit të luajë për skuadrën e re deri në muajin janar.

“Nuk e kam problem që s’do të luaj deri në janar, sepse nuk jam këtu për vetëm gjashtë muaj. Jam këtu të fitoj tituj për pesë vjet”, ka shtuar turku.

Barcelona besohet se i ka paguar 41 milionë euro Atletico Madridit për shërbimet e Turanit.