Me trup në Klinë, me mendje në Prishtinë

Sulmuesi Altin Merlaku nuk arriti që të transferohet te Prishtina në afatin kalimtar të dimrit, ndonëse u prezantua te ky klub.

Shkak për një gjë të tillë u bë ish-klubi i tij, Dukagjini i Klinës (garon në Ligën e Parë), i cili nuk ia lëshoi fletëlëshimin.

21-vjeçari tashmë është rikthyer në Klinë. “Jam i dëshpëruar që nuk mbeta në Prishtina por edhe dëshira për të luajtur me Dukagjinin, nuk mungon. Prishtina është klub i madh dhe doja të rritesha si futbollist”, tha Merlaku për Gazetën ‘Olle‘.

Ai në stinorin e fundit në Ligën e Parë, realizoi 13-gola për 14-ndeshje. “Në pranverë do të luaj për Dukagjinin pastaj të shohim. Kam kontratë 3-vjeçare por, do të ulemi dhe do ta shqyrtojmë edhe një herë atë”, përfundoi Altin Merlaku.