Tahir Batatina ka vazhduar me ankesat e mëdha në ndarjen e drejtësisë në BKT Superligë.
Pas humbjes nga Drita, tekniku llapjan shpërtheu në deklaratë për media, duke akuzuar gjyqtarin me stemë të FIFA-s, Genc Nuza kinse i ka ndihmuar Dritës.
“Nuk ishte rezultati real bazë të paraqitjes. E përgëzoj djemtë për lojën, derisa këto pikë ishin të Genc Nuzës.Që nga minuta e parë ishte në favor të kundërshtarit, te penalltia, te kartoni i kuq për të cilin dy herë ishte ndërhyrja ndaj lojtarit tonë. Ai tregoj se është ardhur për qëllime të caktuara, por kjo nuk i kontribon futbollit”.
“Nuk di të hi në detaje të shumta, por Nuza e di më mirë pse ka gabuar. Unë mendoj që VAR-i po aplikohet, por atëherë kur Nuza vendoste vetë kur ta shikonte golin”, deklaroi Batatina pas ndeshjes me Dritën.
Por vetëm tri javë më herët Tahir Batatina e kërkonte që Genc Nuza ose gjyqtarët e tjerë me stemë të FIFA-së të gjykonin ndeshjet derbi.
Llapi ishte mposhtur nga 2-1 nga Gjilani, teksa Tahir Batatina akuzonte gjyqtarin e ri Mentor Ajeti se i ndihmoi skuadrës vendase.
“Nuk na ka mposhtur Gjilani, por gjyqtari Mentor Ajeti. Befasohem që gjyqtarët më të mirë në vend të jenë në VAR derisa gjyqtarët e rinj dhe pa përvojë të ndajnë drejtësinë në një derbi të tillë siç është Gjilani – Llapi”.
“Nuk është aspak mirë të na dëmtojnë në këtë mënyrë. Dëshirojmë që ndeshjet tona t’i gjykojnë gjyqtarët me stema të UEFA-s, që edhe nëse gabojnë e dimë që nuk e bëjnë me qëllim”, kishte deklaruar Batatina pas ndeshjes me Gjilanin.
Vetëm tri javë është diferenca mes dy ndeshjeve dhe Genc Nuza nga një gjyqtar i dashur për trajnerit e Llapit është shëndrruar në armik, pas humbjes nga Drita.
/Gazeta Olle/