Në një organizim fantastik nga KB PEja, ka përfunduar Final 8 Kupa e Kosovës në basketboll.
Ka qenë një edicion special në nder të ish-themeluesit të KB Pejës, të ndjerit Agim Lluka.
Në finalen e madhe të zhvilluar në ‘Karagaç’ në një organizim fantastik, KB Trepça ka shënuar fitore rezultat 76:62.
Ishte një atmosferë fantastike në Pejë, me palestrën ‘Karagaçi’ që thuajse ishte e stërmbushur nga adhuruesit e basketbollit kosovar.
Drilon Hajrizi ka qenë më i mirë në këtë takim për Trepçën me 24 pikë e 12 kërcime.
Ndërkohë basketbollisti amerikan Andrew Gordon shtoi 21 pikë dhe 10 kërcime, derisa Amin Hot shtoi 15 pikë të tjera.
Tek skuadra prizrenase u dallua Julien Lewis që shtoi 16 pikë.
‘Minatorët’ arritën ta fitonin këtë trofe për herë të parë pas 10 viteve, derisa për ta ishte hera e pestë që e fitojnë Kupën e Kosovës.
Trepça suksesin e njëjtë e kishte arritur edhe në edicionet 1992/93, 1999/00, 2003/04 dhe 2011/12.
Vlen të theksohet se MVP i këtij edicioni në Final 8 Kupën e Kosovës është shpallur Drilon Hajrizi.