Trepça nuk dëshiron përforcime

Skuadra me traditë në futbollin kosovar Trepça edhe pas përfundimit të stinorit vjeshtor ende është duke vazhduar me stërvitje.

Trajneri i kësaj skuadre Rafet Prekazi, thotë se futbollistët e tij nuk i kanë ndërprerë ushtrimet dhe se ato do të zgjasin deri me 25 dhjetor.

Gjithsesi skuadra nga Mitrovica, nuk e ka ndërmend të përforcohet me futbollistë të rinj, kjo pasi që trajneri Prekazi është i kënaqur me fondin e lojtarëve që ai posedon.

“Nuk dihet akoma nëse do të ketë përforcime, ndoshta do të jenë 1ose 2, por që ende asgjë nuk është zyrtare. Unë jam shumë i kënaqur me përbërjen e futbollistëve që kam tani, pasi që Trepça në dispozicion ka shumë futbollistë me përvoje e në anën tjetër edhe shumë të rinj.

Ky kombinim mes lojtarëve me përvojë dhe energjisë së të rinjve na ka sjellë rezultate të mira. Andaj besoj që ndryshime të mëdha nuk do të ketë”, ka thënë për KosovaLive, trajneri i Trepçës, Rafet Prekazi.

Trajneri me përvojë thotë se beson shumë edhe në suksesin e gjeneratës së re, saktësisht  atë të  U-19, derisa zbulon se po me kjo grupmoshë në muajin janar do të marr pjesë në një turne në Sllovaki.

“Arsyeja e vetme pse ne ende nuk i kemi ndërprerë fazën e stërvitjeve është se grupmosha U-19, kah mesi i janarit do të udhëtojë në Sllovaki ku do të marr pjesë në një turne .

Shumica prej lojtarëve të U-19, janë pjesë e ekipit të parë të Trepçës, është një gjeneratë e cila premton  shumë, sepse ka shumë futbollist cilësorë”, shprehet optimist trajneri Prekazi.

Ai po ashtu tregon se Trepça në edicionin pranveror do të rikthehet më e fuqishme dhe se ata do të luftojnë për një qëllim të vetëm, rikthimin në Superligë.