Trepça ’89 premton se nuk do t’ia lëshojë lojën Feronikelit

Ditëve të fundit ka filluar të spekulohet se Trepça ‘89 mund t’ia lëshojë lojën Feronikelit, në derbin e xhiros së 30-të të Raiffeisen Superligës, që do të zhvillohet të dielën.

Drejtori i klubit, Ilir Bojku, siguron se “Xehetarët” do të luajnë me nder dhe se nuk do të kalkulojnë, pasi, sipas tij, 89-shi do ta shikojë punën e vet dhe se nuk do t’i dëgjojnë “llafet e rrugës”.

“Gjithmonë po thonë se Trepça ’89 do ta lëshojë lojën. Kështu ndodhi me Prishtinën, pastaj me Besën, por ne gjithmonë i kemi demantuar në fushë. Ne mendojmë vetëm të luajmë futboll dhe t’ju tregojmë se nuk jemi pjesë e këtyre kurdisjeve. Lojtarët e japin maksimumin në çdo ndeshje, pasi, për këtë punë edhe paguhen”, thotë Bojku për “Zërin”.

89-shi aktualisht gjendet në pozitën e gjashtë me 45 pikë të grumbulluara, 15 më pak se lideri, Feronikeli, katër xhiro pa përfunduar sezoni. “Nikli” ka 5 pikë më shumë se rivali kryesor, Prishtina, e gjashtë më shumë se Besa, prandaj i nevojitet fitorja ndaj 89-shit, për ta mbajtur distancën ndaj ndjekësve. Ndërkohë, mitrovicasit ‘betohen’ se s’do ta lëshojnë këtë lojë. Sidoqoftë, fusha e blertë do ta tregojë më së miri nëse llafet e fundit që qarkullojnë, janë të sakta apo jo.

 

89-shi e do Kupën

Pasi i ka humbur gjasat për titull të kampionit, 89-shi është fokusuar në Digitalb Kupën e Kosovës, trofe të cilin synon ta fitojë. Skuadra e Afrim Tovërlanit e humbi ndeshjen e parë gjysmëfinale nga Besa me rezultat 3:2, edhe pse për një moment ishte në disavantazh prej tri golash. Dhe, humbja e ngushtë nga pejanët bën që mitrovicasit të besojnë se mund të shkojnë në finale, me një fitore në shtëpi dhe në fund ta fitojnë krejt këtë trofe.

“Ndeshja e parë përfundoi 3:2 dhe kemi ende shpresa, megjithëse kemi humbur. Ne jemi në pozitë të mirë që me një fitore në shtëpi, të shkojmë në finale. Do të mundohemi ta bëjmë lojën tonë dhe ta çojmë deri në fund rrugën e nisur në Kupë”, përfundoi Bojku.