‘Trepça ’89 kampion, mërzitem për Trepçën, Munishi po më zëvendëson’

 

‘Timonieri’ nga Podujeva Emin Ajvazi, është një ndër trajnerët më me përvojë në futbollin e Kosovës. Ajvazi ka drejtuar shumë skuadra në vendin tonë ndërkohë që në edicionin e fundit ishte pjesë e Trepçës.

Në një prononcim për Gazetën ‘Olle’, Ajvazi e bëri një analizë të xhiros së parë të kampionatit. “Xhiroja e parë ka qenë shumë interesante pasi që tashmë ka ndryshuar futbolli dhe kush po e meriton, edhe po fiton. Jam mërzitur për Trepçën se si humbi dhe u habita me humbjen e Trepçës ’89”, theksoi Ajvazi duke deklaruar se Trepça ’89 e ka skuadrën më të fortë në Superligë. “Trepça ’89 e ka skuadrën më të fortë në ligë dhe ajo ka gjasa të mëdha që të dal kampione. Prishtina gjithmonë ‘lufton’ për titull kurse Hajvalia ka një trajner shumë të mirë (Ismet Munishin) dhe ekip të fortë. Feronikeli mos të shpreson për titull. Boll i kanë pikët për mbijetesë. Ata nuk kanë as stadium”, potencoi trajneri i njohur si ‘Fergusoni i Kosovës’.

Ajvazi njihet në opinion për deklaratat ‘bombastike’. “Tashmë që nuk jam unë, jam i lumtur që po më zëvendëson Ismet Munishi të cilin e kam pasur lojtar. Futbollin e bëjnë interesant dekaratat. Kam lexuar shumë psikologji dhe deklaratat kanë efekt pozitiv. Po më shkojnë nerva ata trajnerë që po bëhen ‘më katolik se Papa’. Folni, bone shyhret sikurse Ismet Munishi, e unë dikur”, ishte porosia e Emin Ajvazit.