Trepça ’89 befason me trajnerin e ri, rikthen emrin e njohur?

Si në çdo edicion tjetër edhe ai i 2019/20 pritet të jetë një “Deja Vu” për ‘minatorët’ që do ta nisin me shumë ndryshime kampionatin e ri në Superligë.

Drejtuesit e klubit kanë nisur me operacionin “fshesa” teksa janë ndarë me katër futbollistët nga Shqipëria.

Përveç Elton Basriut dhe Ergys Mersinit të cilët u larguan në prag të sfidës së barazhit përballë Vëllaznimit, tashmë ‘biletën’ kthyese e kanë marrë edhe mesfushorët Orges Gava dhe Renato Hyshmeri.

Burime të Gazetës “Sheshi” bëjnë të ditur se në krye të skuadrës do të emërohet trajneri i njohur mitrovicas Fahredin Duraku.

Duraku është emër i njohur në “Riza Lushta” dhe e njeh shumë mirë mentalitetin e ish-kampionëve të vendit, të cilët edicionin e kaluar kaluan nëpër duart e Gugash Maganit fillimisht, për të vazhduar më pas Sabit Osmani dhe për ta përfunduar Veton Çitaku.

Klubi mitrovicas synon që në afatin kalimtar të verës të afrojë pesë deri në gjashtë futbollistë për të freskuar organikën, por baza e ekipit nuk synon që të ndryshohet.