Tre futbollistët nga Kosova padisin Flamurtarin

Futbollistët kosovarë që luajtën në Vlorë në sezonin e fundit e kanë paditur Flamurtarin në FIFA. Donjet Shkodra, Ilir Berisha dhe Astrit Fazliu do të përballen në gjyq ndërkombëtar me klubin vlonjat.

Gjithçka ka lidhje me rrogat e prapambetura, ndërsa çështja i ka kaluar organit më të lartë ndërkombëtar të futbollit.

“Panorama Sport”, pak kohë më parë paralajmëroi se ish-lojtarët e Flamurtarit do t’i drejtoheshin gjyqit për çështjen e pagave të papaguara, ndërsa duket se kjo gjë tashmë është konkretizuar.

I pari që e ka çuar çështjen në FIFA ka qenë avokati i mesfushorit kosovar Donjet Shkodra. “Panorama Sport” zbulon se Shkodra kërkon nga Flamurtari 30 mijë euro, të cilat nuk i janë dhënë nga drejtuesit vlonjatë.

shkodra

Bëhet fjalë për pagat e prapambetura në kohën kur Donjet Shkodra ishte pjesë e Flamurtarit.

Por, ndërsa u largua menjëherë për te Skënderbeu sapo përfundoi sezoni i ri, Shkodra pretendon se nuk është paguar nga vlonjatët.

Madje, burime pranë tij bëjnë me dije për gazetën se lojtari u ka shkruar edhe disa mesazhe drejtuesve të klubit. “Kërkoj pagat që më takojnë. Në të kundërt do të ndjek rrugët ligjore. Do t’u çoj në FIFA”, mësohet se u ka shkruar Shkodra drejtuesve të Flamurtarit. Por, prej tyre nuk ka pasur asnjë reagim dhe, në këto kushte, avokati i Shkodrës ka çuar dosjen në FIFA, ku ka hapur edhe procesin gjyqësor ndaj Flamurtarit.

TË TJERËT

Ashtu si Donjet Shkodra kanë vepruar edhe kosovarët e tjerë, që sezonin e kaluar kanë qenë pjesë e Flamurtarit. Astrit Fazliu dhe Ilir Berisha i janë drejtuar FIFA-s për të kërkuar pagat. Duke parë që nuk ka pasur asnjë reagim nga drejtuesit e Flamurtarit, Fazliu dhe Berisha i janë drejtuar organit më të lartë ndërkombëtar të futbollit.

flamurtari 98

Këto çështje pritet që të merren në shqyrtim dhe, nëse pretendimet e lojtarëve rezultojnë të drejta, do t’i kërkohet klubit vlonjat shlyerja me detyrim dhe pagesa e tyre.

fazliu

PRETENDIMI

Në një kohë që në fund të sezonit të kaluar pagat po vonoheshin, lojtarët kosovarë dhe të huaj bojkotuan stërvitjen. Por klubi “Flamurtari”, përmes drejtuesve të tij, akuzuan Shkodrën, Berishën dhe Fazliun si organizatorë të protestës. E pikërisht edhe moslikuidimi i këtyre lojtarëve duket si një “hakmarrje” e drejtuesve ndaj tyre.