Trajneri që debutoi me fitore: Të hënën, le të fitojë më i miri

 

Trajneri që debutoi me fitore në Superligë, Sadat Pajaziti, kërkon që në përballjen e radhës le të fitojë më i miri. Drita e tij mposhti 3:2 Trepçën ’89, në nisje të stinorit pranveror. Sfida e radhës është ajo me Hajvalinë, që luhet të hënën në stadiumin e kryeqyetit.

“Të hënën udhëtojmë në Prishtinë për t’u përballur me një kundërshtar të fortë siç është ekipi i Hajvalisë. Unë besoj që do të jetë një ndeshje interesante,  dhe njëkohësisht shpresoj të jetë korrekte dhe t’i kënaqim tifozët me një lojë Fair-Play. Le të fitojë ai që e meriton”, deklaroi Pajaziti për Gazetën Olle.

Ai thotë se synimet e Dritës janë për t’i ikur sa më parë rrezikut për mbijetesë. “Ështe e vërtet që fituam ndeshjen e parë  ndaj një kundërshtari pretendent për të fituar titullin kampion, fitore e cila na motivon të punojmë me përkushtim dhe qetësi për ndeshjet e radhës. Objektivi i Dritës në momentin që e kam marr unë ka qenë mbetja në elitën e futbollit kosovar”, tha ai.
Por, deri ku mund të mbërrijë Drita. “Përgjigjen e kësaj pyetje do ta tregojë vetëm koha, edhe pse synimi ynë është që të ngjitemi sa më lartë”.

Pajaziti është nga Tërnoci i Bujanocit, derisa vitin e kaluar drejtoi Gjilanin në Ligën e Parë. I pyetur për nivelin e Superligës ai tha: “Niveli i Superligës së Kosovës nuk është aty ku do të donim të gjithë, sepse ndikojnë shumë faktor pse jemi këtu ku jemi. Megjithatë, dua të theksoj një detaj që është shumë me rëndësi për të ardhmen e futbollit kosovar, e ajo është se kemi jashtëzakonisht shumë futbollistë të rinj të  talentuar”. (Gazeta Olle)

sadat