Trajneri kërkon nga Roshi…

Trajneri i FSV Frankfurtit, Beno Mohlman, i ka kërkuar klubit të bindë mesfushorin shqiptar, Odise Roshi, për të rinovuar kontratën.

Portali gjerman “fnp.de” zbulon se, pas refuzimit të ofertës së klubit nga ana e 23-vjeçarit, Mohlman ka takuar drejtorin sportiv dhe i ka kërkuar që të bëhet maksimumi për ta mbajtur edhe të paktën një sezon shqiptarin.

Madje, sipas mediave gjermane, mësohet se Mohlman i ka garantuar Roshit një vend si titullar për ta joshur që ai të pranojë rinovimin e marrëveshjes. Në fakt, mesfushori nuk ka qenë stabël te FSV Frankfurti, teksa gjatë sezonit shpeshherë e ka nisur edhe nga stoli, por këtu kanë ndikuar jo pak problemet fizike që fieraku ka pasur, shkruan panorama sport.

Duket se lojtari e ka ndarë mendjen që të ndryshojë skuadër, por ndoshta deri në fund të këtij sezoni situatat mund të ndryshojnë dhe drejtuesit e Frankfurtit ndoshta do t’ia rrisin pagën. Në 16 ndeshje të luajtura deri më tani në Bundesligën 2 të këtij sezoni, mesfushori ka arritur të shënojë tre gola.

Bashkë me sulmuesin shqiptar, Edmond Kapllani, ai ka qenë disa herë deciziv në ndeshjet e FSV Frankfurtit, që pozicionohet në mes të tabelës.