Trajneri më i keq i epokës Berlusconi

Nëse në fushën e lojës ishte një mjeshtër i menaxhimit të pozicionit jashtë loje, në stol historia ndryshon, pasi Filipo Inzaghi po kalon momente të errëta, madje duke u bërë objekt statistikash.

Për momentin, pankina e trajnerit të Milanit nuk është në rrezik sepse drejtuesit e dinë shumë mirë që skuadra e tij është përballur me një numër të madh mungesash, por të dielën e ardhshme kundër Cesenas, Milani ka vetëm një rrugë, atë të fitores sepse në të kundërt shkarkimi do të ishte vendimi më i logjikshëm në këtë situatë.

Ndeshja e shëmtuar kundër Empolit i reduktoi ndjeshëm shpresat për zonën evropiane dhe ato të trajnerit për të zgjatur kontratën edhe sezonin pasardhës.

Tifozët janë lodhur nga pritja e gjatë që kjo skuadër të sigurojë vazhdimësinë në rezultate sepse një vit prapa, Milani gjendet pothuajse në të njëjtën situatë me 30 pikë në 23 ndeshje.

Nga Allegri te Inzaghi pa harruar Seedorf, në këtë skuadër duket se nuk ka ndryshuar asgjë. Në fillim të sezonit, ambjenti ishte pozitiv dhe dëshira e trajnerit për të bërë mirë ishte e madhe por dalëngadalë diçka u thye dhe tashmë aventura e Inzahgit ka hyrë në një labirint pa rrugëdalje.

Formacionin titullar ia diktojnë dëmtimet e shumta dhe skuadra nuk arrin të krijojë identitetin e vet. Për të dhënë një tablo më të qartë të situatës kaotike, mjafton të kthehemi pas në histori për të bërë krahasimin e statistikave dhe në këtë pikë, Inzaghi është trajneri më i keq i erës Berlusconi me një mesatare prej 1.3 pikësh për ndeshje. Në të njëjtën situatë është gjendur edhe Liedholm shumë kohë më parë.