Trajneri i Rijekës me fjalë të mëdha për Dukagjinin: Skuadër e mirë dhe shumë e rrezikshme në tranzicion

Dukagjini dhe Rijeka do ta zhvillojnë ndeshjen e parë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës të enjten me fillim nga ora 20:00.

Skuadra e madhe kroate ka zbarkuar në Kosovë këtë të mërkurë, derisa trajneri i saj Sergej Jakirovic ka folur për faqen zyrtare të klubit të tij.

Kroati ka vlerësuar lartë Dukagjinin, duke e cilësuar si një kundërshtar shumë të mirë dhe të rrezikshëm në të njëjtën kohë.

“Kjo është pjesa e parë e ndeshjes, kemi të bëjmë me një kundërshtar të mirë dhe të rrezikshëm në tranzicion. Duhet të tregojmë seriozitet dhe disiplinë taktike. Shpresoj se do të fitojmë një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit”, tha fillimisht Jakirovic.

“Duhet të dimë si t’i përgjigjemi lojës dhe agresivitetit të tyre në duel. Nuk duhet të hyjmë në incidente që mund të jenë të natyrës taktike”.

Jakirovic ka zbuluar edhe mungesën e madhe që kanë për këtë sfidë, derisa ka thënë se atmosfera në skuadrën e tij është e mirë.

“Atmosfera dhe gjendja në skuadër është e mirë. Nuk do ta kemi Dejan Petrovicin për shkak të një problemi muskulor, kështu që ai do të na bashkohet të premten në Split për Hajdukun”, deklaroi Jakirovic.

Skuadra evropiane gati të shpenzoj 1 milion euro për Lindon Emërllahun

Zyrtare: Redon Arifi transferohet te Liria