Trajneri i Islandës: Kujdes nga Kosova!

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Islandës, Heimir Hallgrimsson, ka kërkuar nga lojtarët e tij të kenë kujdes në ndeshjen me Kosovën.

Sipas tij, lojtarët nuk guxojnë të mashtrohen assesi nga pozita aktuale e Kosovës në renditjen botërore, pasi thotë se ky është një “mashtrim” i cili mund t’u kushtojë “Vikingëve”.

Kosova aktualisht është e 164-ta në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, derisa islandezët gjenden në vendin e 20-të.

“Pozita e Kosovës në renditjen botërore është absolutisht ‘mashtruese’ sepse ata janë pranuar vonë në UEFA e FIFA, prandaj duhet ta shohim rrugën e tyre deri në fund të kualifikimeve dhe më pas t’i vlerësojmë”, ka thënë fillimisht trajneri islandez për mediet e atjeshme, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjithashtu ai i ka lavdëruar edhe futbollistët kosovarë, për të cilët thotë se janë individualistë të mirë që mund t’i shkaktojnë probleme skuadrës së tij.

“Të gjithë lojtarët e Kosovës janë të mirë, kanë talent individual. Këta futbollistë luajnë në skuadra të mira dhe i mbulojnë mjaft mirë repartet, duke qenë lojtarët kyç të skuadrave përkatëse në Evropë dhe më larg. Prandaj, duhet ta japim më të mirën ndaj tyre”, vazhdoi ai.

“Lojtarët e Kosovës janë tipa të ngjashëm të lojtarëve turq dhe shqiptarë, kanë talent, shpejtësi dhe janë lojtarë dinamikë që luajnë mirë me topin, prandaj duhet të kesh kujdes nga ta”, përfundoi ai.

Kontingjenti islandez është vendosur të hënën në Parma të Italisë, ku do të qëndrojë tri ditë dhe do të stërvitë aty, derisa pritet që ta marrë rrugën drejt Shkodrës më 23 mars, një ditë para lojës, ku edhe do të prezantohet trajneri Hallgrimsson në konferencë për shtyp.

Siç dihet, Islanda do të paraqitet me disa mungesa në ndeshjen me Kosovën, por trajneri ka thënë se bota nuk është perfekte dhe se ka menduar mirë që t’i mbulojë mungesat.

Islandezët synojnë fitore ndaj Kosovës për t’i mbajtur gjallë shpresat që të përfundojnë në njërën nga dy pozitat e para në këto eliminatore, në mënyrë që të kualifikohen në Botërorin e Rusisë.