Trajneri i Buducnostit, Nedovic: Po përgatitemi maksimalisht për Llapin, rrezikun më të madh e kemi nga Progni dhe Veliu

Trajneri i ekipit nga Mali i Zi, Buducnost, Aleksander Nedovic beson se ndeshja ndaj Llapit do të jetë mjaft interesant.

Llapi dhe Buducnost takohen me 7 korrik nga ora 20:30 në ‘Gradski Stadion Podgorica’, në kuadër të fazës së parë të kualifikimeve për në UEFA Conference League, shkruan GazetaBlic Sport.

Nedovic, trajneri 43 vjeçar i ekipit Buducnost thotë se kanë marrë informacionet e nevojshme për ekipin e Llapit para duelit që do ta zhvillojnë dy skuadrat në Podgoricë.

“Ne do të takohemi me këtë kundërshtar dhe tani mbledhim informacione çdo ditë. Po ashtu shohim se janë larguar disa lojtarë dhe po sjellin të rinj, ndaj sigurisht që do të mbledhim informacione deri në fillim të ndeshjes”, tha fillimisht Aleksandar Nedovic për ‘GazetaBlic Sport’.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina në një prononcim për mediumin tonë para disa ditësh potencoi se do të bëjnë senzacion në Evropë këtë vit. Nedovic iu kundërpërgjigjet duke theksuar se çdo trajner ka vlerësime të mëdha për ekipin që e drejtojnë.

“Gjithkush ka të drejtë të bëjë deklarata çfare dëshiron dhe mendoj se trajneri duhet të ketë një mendim të madh për ekipin e tij. Kështu mendoj për ekipin tim dhe mendoj se do të jetë një duel i mirë me skuadrën e Llapit”, vazhdoi ai.

Në fund, trajneri malazez potencoi se rreziku kryesor për portën e tyre do të jetë nga Gerhard Progni dhe Valmir Veliu.

“Disa nga transferimet e reja të tyre nuk i njohim, por rrezikun më të madh sigurisht e kemi nga Progni dhe Veliu”, përfundoi ai.

Lorik Boshnjaku: Me Vllazninë dua titullin kampion, të luash në Shkodër, krenari

Prishtina blindon dy yjet e skuadrës, tani synon titullin kampion ta rikthej në kryeqytet