Trajnerët kosovarë optimist për pranimin në UEFA, por infrastruktura shqetësuese

Izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar duket se po i vjen fundi. Në fillim të muajit maj, në Budapest të Hungarisë, UEFA mban Kongresin e 40-të, në të cilën do të jetë në rend ditë edhe pranimi apo jo i Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian.

I gjithë opinionin futbolldashës tashmë sytë i kanë kah Budapesti, aty ku pritet të nisë një epokë e re për futbollin kosovar, dhe sportin më të popullarizuar në planet.

Disa nga trajnerët e futbollit besojnë se më 3 maj Kosova do të pranohet në UEFA, e që sipas tyre, për futbollin në Kosovë do të nisë një etapë e re.

Arsim Thaçi, trajner i futbollit, është i bindur se FFK-ja do të bëhet pjesë e UEFA-së. Sipas tij, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri bashkë me ekipin e tij ka lobuar mjaft shumë në këtë drejtim, dhe sipas Thaçit, Kosova më 3 maj zyrtarisht do të jetë në UEFA.

Thaçi thotë se edhe klubet tona tashmë po e ndien se FFK-ja do të jetë në UEFA. Ai mendon se tashmë klubet tona duhet të punojnë shumë më shumë në mënyrë që të jenë të gatshëm për arenën ndërkombëtare, edhe pse sipas Thaçit, infrastruktura akoma nuk është në nivelin e duhur.

“Çështja e pranimit nuk do të thotë se neve do ta japin menjëherë mundësinë dhe të na zënë të papërgatitur. Unë kam pa shumë ekipe që janë duke e ndier çështjen e pranimit, ka shumë ndryshime brenda ekipeve, janë duke u organizuar klubet dhe në këtë drejtim mendoj se nuk do të jetë diçka e keqe, por ekipet e Kosovës nuk do të mund të jenë me ekipet tjera që janë më vite në arenën ndërkombëtare dhe bëjnë gara në atë sistem. Kështu që neve na mban motivi dhe neve na mban entuziazmi dhe mendoj se edhe ndeshjet e para ndërkombëtare do t’i kalojmë në frymën e entuziazmit që të luajmë dhe te tregojmë cilësi. Ajo që është shqetësuese është infrastruktura sportive, sepse nuk mund të ndërrohet brenda natës, dhe se cila ekipe do të ketë mundësinë që të krijoj filozofinë e vet të lojës që të paktën kur të përballet me ato klube të atyre shteteve, nuk do të befasohen dhe nuk do të nënçmohen në atë drejtim. Sa i përket cilësisë nuk mendoj se ne do të lëmë përshtypje të keqe në aspektin organizativ, por edhe në aspektin e cilësisë”, ka thënë Thaçi për KP.

Edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina beson se Kosova në fillim të muajit maj do të pranohet në UEFA. Tekniku llapjanë mendon se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në krye me Fadil Vokrrin, ka bërë punë të madhe në këtë drejtim, por sipas tij, duhet te vazhdohet me lobim në mënyrë që më 3 maj Kosova të jetë në UEFA.

Batatina thotë se ky është një moment historik kur shtëpia evropiane, e më pas edhe ajo botërore do të hap dyert edhe për futbollin e Kosovës. Ai është i bindur se Kosova ka talent të bollshëm që të prezantohet në mënyrën më të mirë në rrafshin ndërkombëtar.

“Unë besoj se është një moment historik, një moment vendimtar kur shtëpia e futbollit botëror dhe evropian, FIFA e UEFA e kanë kuptuar se më të vërtetë se Kosova e meriton të jetë një nga skuadrat që do t’i bashkëngjitet futbollit me modern në botë dhe jam shumë i bindur se kësaj radhë futbolli i Kosovës do të pranohet në instancat më të larta të nivelit evropian dhe unë mendoj se kjo është një përparësi shumë e madhe e këtyre skuadrave, këtyre djemve të cilët po japin maksimumin në terren, bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës, bashkë më trajnerët që japin më të mirën dhe besoj se është një moment historik dhe të gjithë presim që këto skuadra dhe këta djem e meritojnë të jenë në arenën ndërkombëtare dhe të cilët në të ardhmen ta tregojnë talentin e tyre të cilin e kanë”, ka theksuar Batatina.

Ai ka shtuar se i vetmi problem që është në futbollin tonë, është infrastruktura sportive, e cila ende nuk është në nivelin e duhur. Por, Batatina beson se shteti i Kosovës tani duhet të fokusohet edhe më shumë në këtë drejtim në mënyrë që të përmirësohen kushtet në infrastrukturën sportive.

Ndërsa Suad Keçi, një tjetër trajner, beson se Kosova më në fund do të integrohet në UEFA dhe FIFA. Ai mendon se pranimi i futbollit në instancat ndërkombëtare do të jetë një motiv shumë më i madh për futbollistët të cilët sipas tij, në 25 vitet e fundit nuk kanë mundur të tregojnë cilësitë e tyre. Keçi beson se cilësia do të rritet, por ai shpreson se edhe infrastruktura sportive do të rregullohet. Ai thotë se brenda pesë viteve të ardhshme futbolli do të jetë i denjë për garat ndërkombëtare.

“Më siguri se me punën që do të bëjmë edhe në të ardhmen mendoj se do t’ia arrijmë qëllimit që të jemi sa më të përgatitur, por pak jemi skeptik sa i përket infrastrukturës kur e dimë të gjithë se sa mungon tek ne në Kosovë, mirëpo, me kalimin e kohës, mendoj për dy-tri vite ose pesë edhe aty do të rregullohet dhe nuk do të ketë probleme edhe sa i përket fushave. Më siguri se edhe cilësia do të rritet, sepse nëse do të pranohemi do të ketë edhe lojtarë të huaj të cilët do të aterrojnë në Kosovë dhe do të jetë edhe më mirë, mirëpo edhe me brumin vendor ku jemi si një shtet ku ka talent, mendoj se në Kosovë, por edhe më lojtarët e Kosovës që luanë jashtë, ku ne përfaqësuesja e Kosovës kemi treguar edhe më ndeshjet miqësore të cilat i kemi zhvilluar se mund të shtyhemi deri diku, mirëpo, unë them prapë se duhet të presim deri pesë vitet e ardhshme që te jemi të gatshëm për lojërat tona si në UEFA dhe FIFA”, ka pohuar Keçi.

Ai ka shtuar se më në fund po vijnë ditët e mira edhe për futbollin e Kosovës, e që sipas tij, Kosova ka shumë talentë për sportin numër një në planet.