Tovërlani vjen me propozim interesant për Përfaqësuesen

Është paralajmëruar se Përfaqësuesja e Kosovës nuk do të zhvillojë ndeshje miqësore në muajin qershor, në datat e lira të FIFA-s dhe UEFA-s.

Në mënyrë që termini i lirë mos të shkojë huq,  trajneri i Trepçës ’89, Afrim Tovërlani vjen me një propozim nëpërmjet Gazetës ‘Olle’, për Përfaqësuesen e drejtuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaku.

“Propozoj që gjatë muajit qershor të zhvillohet një ndeshje miqësore ekzibicionale në mes Përfaqësueses së Kosovës dhe lojtarëve që luajnë në Kosovë e Shqipëri. Do të ishte mirë për të gjithë”, ka thënë Afrim Tovërlani për Gazetaolle.com.

Tutje, ai propozon që të ardhurat që do të mblidhen, të shkojnë për familjet e dëmtuara në Kumanovë. “Pse mos të shkojnë të ardhurat nga kjo ndeshje për familjet e dëmtuara në Kumanovë”, përfundoi trajneri më i suksesshëm kosovarë në vitet e pasluftës, Afrim Tovërlani.

Sigurisht se një miqësore e tillë përpos që do t’i shërbente Bunjakut për ta parë formën e futbollistëve që i tubon, do t’i ndihmonte atij për ta parë nga afër edhe ndonjë futbollistë që luan në Kosovë e Shqipëri.

Ndryshe, Kosova gjatë këtij viti ka luajtur dy ndeshje miqësore me skuadrat gjermane Werder Bremen e Eintracht Frankfurt.