Tovërlani: S’ka kalkulime, luajmë për Trepçën ’89

Xhiroja e 30 e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll do të nis nesër (e shtunë). Kryendeshja e kësaj jave do të zhvillohet në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë, ku Trepça ’89 takohet me Feronikelin. ’89-shi në këtë edicion e ka pretenduar titullin, por që ngeci rrugës ndërkohë që Feronikeli, vazhdon t’i prijë tabelës kur kanë mbetur edhe katër xhiro.

Ditët e fundit është folur se kjo ndeshje mund të luhet e sa për sy e faqe pasi që Trepça ’89, do t’ia lëshojë lojën ekipit nga Drenasi. Trajneri i ‘Minatorëve’ Afrim Tovërlani mohon gjithçka. “Ka individ të caktuar nga klube të ndryshme, që mendojnë gjëra të tilla, por ne nuk hyjmë në pazare. Do ta japim maksimumin për rezultat pozitiv. Ne do të luajmë vetëm për Trepçë ’89”, ka thënë ndër të tjera në një prononcim për ‘Radio Kosovës’, Afrim Tovërlani. Kujtojmë se skuadra e tij në dy xhirot e kaluara, nuk i bëri ‘hesap’ as Prishtinën e as Besën që gjithashtu ‘luftojnë’ për titull.