Tovërlani: Prishtina e pati lehtë

Trajneri i mirënjohur, Afrim Tovërlani, ka analizuar javën e parë të stinorit pranveror të Raiffeisen Superligës. Ai ka deklaruar se fitorja e Prishtinës në Gjakovë ndaj Vëllaznimit ishte e pritshme.

“Nga gjitha këto skuadra që kanë fituar më së lehti e ka pasur Prishtina, e cila është përforcuar shumë, derisa u përball me një skuadër që ka pasur probleme me mosmbajtjen e rregullt të stërvitjeve dhe ikjen e 8 futbollistëve”, deklaroi Tovërlani për “Kosova Sot”

“Sidoqoftë, këto janë vetëm ndeshjet e para dhe nuk do të thosha se duhen të merren si alarmante humbjet e Trepçës’89 dhe Hajvalisë. Megjithatë, këto humbje janë sinjal se në këtë mënyrë nuk fitohet titulli. Që të dyja këto skuadra janë përforcuar dhe kanë pasur kushte të mira të ofruara nga kryesitë e klubit, andaj duhet të jenë më të vëmendshme”, shtoi

Ish-trajneri i Prishtinës, Hysit dhe Trepçës ’89 mbeti paksa i befasuar me humbjen e kësaj të fundit në Gjilan. “Java e parë solli relativisht rezultate të pritura. Për mendimin tim Trepça’89 ka startuar më dobët se sa favoritët e tjerë. Në Gjilan ka kushte të mira për lojë dhe me përforcimet që ka bërë Trepça’89, së paku është dashur të mos humbë”.

Tovërlani momentalisht është i papunë. (Gazeta Olle)